Nëpërmjet një komunikate VMRO-DPMNE ka konstatuar se: “Maqedonia mund të përparojë vetëm atëherë kur shtëpia ligjvënëse do të funksionojë në atmosferë demokratike, ku do të krijohen kushte për pjesëmarrjen e opozitës dhe participimin e saj në sjelljen e ligjeve”. Për funksionimin e plotë të Kuvendit, VMRO-ja pretendon se është i nevojshëm edhe lirimi i deputetëve të paraburgosur si të dyshuar për zhvillimet e 27 prillit.
“Deputetët e konfirmuan përkrahjen për arrestimin e padrejtë të kolegëve dhe qytetarëve të tjerë lidhur me ngjarjet e 27 prillit, duke i riafirmuar pozicionet, se drejtësia nuk duhet që të shkelet për përndjekje politike”,– thuhet në njoftimin e VMRO-së.
Çështja e deputetëve të arrestuar është diskutuar edhe në takimin mes kryeministrit Zaev dhe kreut të ri të VMRO-së, Hristijan Mickoskit. Ky i fundit kërkoi lirimin e deputetëve të paraburgosur si të dyshuar për zhvillimet e 27 prillit. Por, Zaev në takim deklaroi se proceset gjyqësore nuk janë në kompetencë të kryeministrit dhe vendimet merren nga gjykata në bazë të provave dhe fakteve.
Zaev pret që deputetët e opozitës të kthehen nesër në kuvend, pasi në të kundërtën nuk ka ndërmend që në seancën kushtuar pyetjeve të deputetëve t’u përgjigjet pyetjeve të shumicës parlamentare. Ish-kreu i VMRO-së nuk do të komentojë rreth kthimit apo jo të deputetëve të kësaj partie në Kuvend. Gruevski thotë se kryetari i ri ka legjitimitet dhe të drejtë të plotë që të ndërmarrë hapa për të cilët vlerëson se janë në të mirë të partisë dhe të qytetarëve.