Drejtoria e Byros për Zhvillimin të Arsimit injoron problemet e nxënësve të shkollave të mesme në gjuhën shqipe në Shkup. Drejtori i kësaj byroje, Rizvan Bela, nuk ka marrë pjesë në debatin me temë “Një hap drejtë përmirësimit të sistemit të arsimit në Maqedoni”, të organizuar nga Unioni i Nxënësve Shqiptar, Shkup edhe pse paraprakisht kishte konfirmuar pjesëmarrjen.
Kryetari i Unionit të nxënësve shqiptar, Ylber Gashi thotë se qëllimi i debatit ka qenë të diskutohet për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe ngritjen e vetëdijes së nxënësve. Ai është i zhgënyer që drejtuesit e Byrosë dhe të Ministrisë së arsimit nuk kanë pranuar të jenë përballë nxënësve shqiptar dhe të dëgjojnë shqetësimet e tyre.
“Në bisedë telefonike Bela si dhe përfaqësuesit tjerë të MASH na e konfirmuan se do të vijnë por pak para fillimit ata na lajmëruan se kinse ishin të zënë dhe do dërgojnë zëvendësues por edhe ajo nuk ndodhi”, tha Gashi.
Sipas tij, po përfundon gjysmë vjetori I parë nxënësit ende nuk kanë marrë librat, ndërsa edhe ata që janë shpërndarë janë me shumë gabime.
Nxënësi Valon Ejupi, thotë se përveç mungesës së librave, nxënësit e shkollave të mesme përballen edhe me mungesën e kushteve elementare për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.
“Probleme ka shumë, por më evidente janë mungesat e librave, dhe hapsirave për punë praktike, si për shembull mungojnë kabinetet e lëndëve praktike si Kimisë, Fizikës, dhe Biologjisë”, vlerësoi Ejupi.
Nga ana tjetër profesori i Historisë pranë shkollës Zef Lush Marku Naser Miftari, tha se dëshira për ndryshim nga ana e nxënësve është shumë e madhe, por sipas tij nxënësit po hasin në vesh të shurdhër.
“Dëshira është por ata po anashkalohen, edhe vet mungesa e tyre e konfirmon këtë gjë”, tha Miftari.
Kryesia e UNSH-së në fund potencoi se debati do të vazhdojnë derisa pjesëtarët e MASH të shohin të arsyeshme dhe të përballen me problemet e nxënësve.
Almakos.com
Mevludin Imeri