Sot pritet që të takohen lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela me liderin e LSDM-së dhe kryeministrin Zoran Zaev, në lidhje me çështjen e plotësimit të vendeve të zbrazëta ministrore.
Qeveria zyrtarisht njoftoi se Ministrinë me të cilën ka udhëhequr Aleanca për Shqiptarët, gjegjësisht, Arben Taravari i cili u largua nga posti për shkak se u bë kryetar i Gostivarit, do ta marrë kandidati i LSDM-së , Venko Filipçe.
Ajo çfarë pritet të diskutohet në takimin mes Selës dhe Zaevit, janë opsionet se si të “shpaguhet” Aleanca për Shqiptarët për Ministrinë e Shëndetësisë. Ndonëse Qeveria zyrtarisht njoftoi se Selës i është dhënë ofertë për njërin nga zëvendësministrat e Qeverisë, Aleanca nuk është e kënaqur me të njëjtën dhe sipas burimeve të partisë, ata kërkojnë që në këmbim të Shëndetësisë të marrin ndonjë ministri me resor.
Nga Qeveria nuk japin informata në lidhje me atë se kur do të dërgohen propozimet për ministrat e rinj në Kuvend që të votohen.
Qeveria pret “haber” nga Sela për ofertën që bashkë me propozimet e dy ministrave të rinj pa resor dhe zëvendësministrit të Arsimit t’i dorëzojë në Kuvend. Njëri nga ministrat pa resor i takon Partisë për Emancipim të Romëve (PEPR), pasi që Samka Ibrahimovski u bë deputet dhe në vend të tij, pritet që të vendoset një anëtarë i partisë së tij, që tani për tani nuk bëhet i ditur emri. Ministër pa resor dhe zv/ministër të Arsimit duhet të propozojë BDI, pasi që Ramiz Merko dhe Visar Ganiu u bënë kryetar komunash në zgjedhjet e 15 tetorit. Për zv/ministër të Arsimit, BDI e ka propozuar Arbër Ademin.