Këmbim i mendimeve për aktivitetet në kuadër të Kartës së Adriatikut dhe rëndësisë së saj si instrument për përshpejtim të procesit të integrimit euro-atlantik të Evropës Juglindore, bashkëpunimi aktual politik dhe i sigurisë në rajon, përforcimi i bashkëpunimit rajonal dhe kontributi në ballafaqimin me sfidat aktuale të sigurisë në rajon dhe më gjerë, janë temat e takimit të Komisionit partner SHBA – Karta e Adriatikut, që do të mbahet sot në Shkup. Takimi mbahet nën moton “Ballkani përpara – përmbushje e vizionit për Evropë të plotë dhe të lirë”, ndërsa me të do të kryesojë shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov. Në takim do të marrin pjesë delegacione edhe të anëtareve të tjera të Kartës: Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe SHBA-ja, mbikëqyrësit Serbia, Kosova dhe Sllovenia, si dhe shefi i Zyrës së NATO-s në Shkup.
Takimi do t’u kushtohet arritjeve të cilat dalin nga mesazhet e takimit të liderëve të SHBA – Kartës së Adriatikut të mbajtur në Podgoricë më 2 gusht dhe takimin e ministrave të punëve të jashtme, të mbajtur në shtator të këtij viti në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të 72-të të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.