Partitë politike me qëndrime të ndryshme ndaj vendimit të Gjykatës Supreme….
Partitë politike me qëndrime të ndryshme ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për rigjykim të rastit të ashtuquajtur “Monstrum”, apo Përbindëshi. Bashkimi Demokratik për Integrim mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme për rigjykim të rastit dhe lirimin e të akuzuarve për t’u mbrojtur në liri.
“Kërkesa e prokurorisë si dhe vendimi i gjykatësve janë të drejta dhe në përputhje me pritshmëritë tona dhe të qytetarëve. Që në fillet e hetimit dhe më pas edhe të gjykimit të rastit, Bashkimi Demokratik për Integrim ka insistuar për zbardhje të tërësishme të së vërtetës, rigjykim transparent të rastit me monitorim të theksuar ndërkombëtar dhe bashkëpunim rajonal të institucioneve.”- thuhet në kumtesën e BDI-së.
Ndryshe nga BDI, VMRO DPMNE ka dënuar këtë vendim dhe ka akuzuar gjykatën për vendimmarrje nën presion politik.
Partia e Gruevskit madje ka akuzuar gjyqësinë dhe pushtin ekzekutiv, se po lëshojnë në liri terroristët dhe se po arrestojnë patriotët e vërtetë duke iu referuar arrestimeve të fundit të ish zyrtarëve të lartë të VMRO DPMNE-së, të akuzur për “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit, në Kuvendin e Republikës.
“Gjyqësia, nën presion politik, dje lëshoi në liri persona të akuzuar për terrorizëm. Po kjo gjyqësi, dje ndryshoi masën arrest shtëpiak për aktorin Vllado Jovanovski dhe regjisorin Boesi Damovskin dhe vendosi t’i dërgojë në burgun hetimor në Shuto Orizarë. Zoran Zaev dhe organet e hetimit nën komandën e tij më shumë u besojnë vrasësve të nga Liqeni i Smillkovës sesa patriotëve maqedonas.”- thuhet në kumtesën e VMRO DPMNE-së.