Sot patëm edhe një procedurë të ndarë, sepse edhe një prej të akuzuarve nga
rasti i PSP-së “Dhuna në Qendër”,e pranoi fajin për veprën penale që akuzohet,
deklaroi sot prokurorja speciale Fatime Fetai, pas përfundimit të debatit të
përgjithshëm për rastin.
Fetai tha se gjykata nesër do ta shpall vendimin për sanksion penal dhe se
presin aktgjykim të njëjtë si në rastin me Tomislav Lazarovin.
“Dhamë edhe fjalë përfundimtare dhe nesër duhet të shpallet aktgjykimi”, theksoi
Fetai.
Në lidhje me të akuzuarit tjerë, theksoi se debati i përgjithshëm do të vazhdojë
më 7 dhjetor, sepse njëri prej avokatëve të tre të akuzuarve në këtë lëndë ka
munguar me arsyetim, ndërsa që t’i mundësohet secili të akuzuar e drejta e tij
bazë për të pasur mbrojtës në procedurë, pranuan që të shtyhet debati i
përgjithshëm.
Sot në Gjykatën penale-Shkup filloi dhe përfundoi debati i përgjithshëm në
procesin gjyqësor kundër Jordan Ristevskit, i akuzuari i pestë në lëndën e
PSP-së “Dhunë në Qendër”, i cili në seancën e sotme me vetëiniciativë e pranoi
fajin.
I akuzuari Ristevski sot papritmas e pranoi fajin dhe para gjykatësit dhe
prokurorëve të PSP-së vendosi të përfaqësohet vetë, pa ndihmën e avokatit.
Ai tha se nuk ka pasur kurrfarë presione, as kërcënime, për ta pranuar fajin.
Mbrojtësi i tij i deritanishëm Boro Ristevski, e anuloi autorizimin për
përfaqësim. sepse, siç tha, edhe vetëm është befasuar nga pranimi i fajit të
klientit të tij.
“Pas seancës së fundit gjyqësore i shqyrtova veprat për të cilat akuzohem, dua
të them se e pranoj fajin e bërë dhe ndjej keqardhje të thellë”, tha Ristevski
në sallën gjyqësore.
Paraprakisht, siç njofton MIA, prokurorja Fatime Fetai kërkoi që procedura për
të të ndahet dhe gjykimi për të vazhdojë menjëherë.
Faj për ngjarjet para komunës Qendër në qershor të vitit 2013, paraprakisht
pranoi edhe i akuzuari i katërt Tomislav Lazarov, i cili në procedurë të
rregullt moti dënim me kushte prej gjashtë muajve, nëse në afat prej dy viteve
nuk bën ndonjë vepër tjetër penale.
Në seancën e sotme gjyqësore mori pjesë edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla
Gruevski, i cili akuzohet në lëndë, ndërsa në dalje nga salla gjyqësore deklaroi
se nuk ndihet fajtor për akuzën dhe se nuk ka frikë nga asnjë sanksion.