Me ndriçim në ngjyrë portokalli, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sonte së bashku me monumente të tjera të rëndësishme të planetit u bënë pjesë e fushatës globale për mbështetjen e vënies fund të dhunës ndaj grave dhe vajzave me çka u shënua fillimi i “16 ditëve aktivizëm kundër dhunës së bazuar gjinore”.
Në ngjarjen të cilën e organizuan familja e Kombeve të Bashkuara dhe Kuvendi i RM-së, folën kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, kryeministri Zoran Zaev, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska dhe Luiza Vinton, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Maqedoni.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi theksoi se në shoqërinë tonë ende janë të pranishme paragjykimet dhe stereotipat kur bëhet fjalë për barazinë gjinore, ende është e pranishme dhuna familjare dhe dukuri të tjera negative në të cilat viktima janë gratë dhe vajzat. Sipas tij, Kuvendi më së shumti mund të kontribuojë dhe të luajë rol të rëndësishëm në luftën kundër kësaj dukurie duke i shfrytëzuar mekanizmat që i ka në dispozicion në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe rregulloren, e ato janë debatet publike, debatet mbikëqyrëse deri te inicimi i procedurave ligjore për ndryshime dhe plotësime të ligjeve apo sjellje të vendimeve të reja ligjore për këtë problematikë.
“Barazia gjinore është kategori dinamike e cila duhet vazhdimisht të ndiqet dhe sendërtohet. Si subjekte jemi të obliguar për një qasje aktive në luftën kundër çfarëdo lloji të dhunës ndaj grave duke filluar nga dhunat familjare e deri te tregtia ndërkombëtare me njerëz, para së gjithash me gra dhe vajza të cilat më shpesh vihen në robëri klasike seksuale. Ajo qasje aktive, assesi nuk guxon të mbetet vetëm në këto 16 ditë, por duhet vazhdimisht të praktikohet, derisa nuk shndërrohet në shprehi të përditshme dhe kujdes për këtë kategori të njerëzve”, tha Xhaferi.
Kryeministri Zaev në emër të Qeverisë porositi se askush nuk duhet të lihet anash dhe se duhet t’i vihet fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.
“Dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut. Ne si Qeveri premtuam para qytetarëve të RM-së se do të punojmë në avancimin e të drejtave të njeriut dhe prandaj jemi të përkushtuar në avancim sistematik të barazisë gjinore dhe eliminimit të të gjitha formave të dhunës ndaj grave. Po punojmë në vendime të qarta dhe të pahamendësuara ligjore me të cilat parandalohet dhuna dhe mbrohen gratë viktima të dhunës. Sollëm vendim për ratifikim të Konventës së Këshillit të Evropës për parandalim dhe luftë kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare (Konventa e Stambollit). Gjithashtu, avancohen shërbimet e nevojshme për mbështetje dhe mbrojtje të grave, viktima të dhunës”, tha Zaev.
Ai shtoi se Qeveria vendosi e-module për barazi gjinore për tërë administratën me qëllim të përforcimit të kapaciteteve të tyre për krijim të politikave që janë sensitive gjinore dhe të cilat u përgjigjen nevojave të të gjithë qytetarëve.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska theksoi se përmasat e mëdha të dhunës së bazuar gjinore në vendin tonë tregojnë se sistemi shpesh fsheh, nuk i mbron viktimat dhe nuk parandalon raste të dhunës.
Ajo theksoi se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale si koordinuese në proces tashmë po ndërmerr masa dhe aktivitete në pajtim me obligimet nga Konventa dhe programi qeveritar dhe po punon aktivisht në përgatitjen për hapjen e Qendrës së krizës për viktima të dhunës seksuale dhe protokolle adekuate për veprim.
Koordinuesja e përhershme e KB-së në vend, Luiza Vinton, duke e cituar deklaratën e sotme të sekretarit të përgjithshëm të Organizatës botërore, theksoi se “dhuna ndaj grave në thelb i referohet fuqisë dhe kjo do të ndalojë vetëm atëherë kur barazia gjinore dhe përforcimi i tërësishëm i grave do të bëhet realitet”.
“Kuvendi është vendi i vërtetë për të qenë sot, sepse kjo nuk është vetëm ‘shtëpia e qytetarëve’ dhe tempulli i demokracisë, por edhe institucion nga i cili presim të bëjë hap të madh përpara lidhur me nevojën për t’u eliminuar dhuna ndaj grave me anë të ratifikimit të shpejtë të Konventës së Stambollit”, tha Vinton.
Sipas të dhënave të paraqitura në Maqedoni, çdo e treta grua është viktimë e dhunës fizike apo seksuale, ndërsa gjysma e grave kanë qenë të ekspozuara ndaj shqetësimit seksual. Këto të dhëna përputhen edhe me mesataren në nivel global. TË dhënat nga hulumtim i i kryer nga UNDP, nga 26 gra të cilat janë vrarë në Maqedoni në periudhën mes viteve 2013 dhe 2016, 19 janë vrarë nga ana e bashkëshortëve të tyre, të dashurve apo partnerëve të tjerë intim.
Fushata “16 ditë aktivizëm kundër dhunës gjinore” ka për qëllim ta ngritë vetëdijen dhe të nxisë hapa konkret të cilët do të ndihmojnë t’i vihet fund dhunës ndaj grave dhe vajzave në mbarë botën. Organizohet çdo vit mes 24 Nëntorit – Ditës ndërkombëtare për eliminim të dhunës ndaj grave dhe 10 Dhjetorit – Ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Gjatë këtyre 16 ditëve aktivizëm në vend do të mbahen aktivitete të shumta të cilat do të përfshijnë mbështetje nga personalitete publike nga sfera të ndryshme, mundësi për të gjithë të postojnë porosi të veta kundër dhunës në mënyrë që ta tregojnë mbështetjen e vet në mediuemt sociale, si dhe një sërë debatesh dhe punëtorish në mbarë vendin.