Seanca e 23 kuvendore me rend dite parashtrimi i pyetjeve nga deputetët ndaj kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe ministrave, për momentin shkoi në pauzë për t’u rikthyer me punë në ora 16:00, raporton Portalb.mk.
Në seancë kuvendore u prashtruan pyetje të shumta nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe lëvizja BESA.
Pyetjet që u parashtruan kishin të bëjnë me ligjin e gjuhëve, kuadrot cilësore në institucione shtetërore, konfliktit të interesit të krerëve shtetëror dhe hetimit ndërkombëtar të rasteve të montuara politike.
13:30- Seanca e parashtrimit të pyetjeve nga deputetët nxiti polemika ndërmjet kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe deputetit të VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski i cili si pyetje të parë që e parashtroi ishte “pse ligjit të gjuhëve iu vendos flamuri evropian kur nuk ishte prioritet siç edhe e vlerësoi Han?”, raporton Portalb.mk.
“Është e drejtë demokratike që të vendoset flamuri evropian në ligjin e gjuhëve që të arrijmë deri te vlerat evropiane. Kohezioni social është punë e rëndësishme dhe Qeveria do të punojë në këtë drejtim”, tha Zaev.
“Nëse është në pajtueshmëri me legjislaturën evropiane këtu iu ikë vetëm debatit publik. Ligjet nuk duhet të kenë elemente diskriminuese”, tha Dimovski në pyetjen shtesë pas përgjigjes së Zoran Zaevit i cili shtoi “se në këtë ligj kishte debat më së shumti. Në mënyrë transparente duke mundësuar që qytetarët të jenë të barabartë. Duhet të shkojmë përpara duke shkatërruar paragjykimet”.
Si pyetje tjetër që u parashtrua nga deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski kishte të bëjë me atë, për siç tha ai “reformat që u paralajmëruan nga Qeveria e Maqedonisë se do të kemi administratë dhe udhëheqësi institucionale të kualifikuar kurse nga ana tjetër janë emëruar drejtor me shkollë të mesme ku në krye të sallës së sportit qëndron profesori i muzikës”.
Pyetjes se Dimovskit “Kur do ti kemi personat e kualifikuar në krye të institucioneve?”, kryeministri i Maqedonisë iu përgjigj duke thënë se “nëse ndokund kemi individë joadekuat si do të mundte të korrigjohet nga Qeveria e re. Me vëmendje dëgjoj dhe ndjek, individ joprofesional nuk do të ketë në institucione” tha Zaev.
Dimovski në pyetjen shtesë kërkoi që të numërojë së paku pesë emërime kuadrovike të cilat kanë qenë të miratuara nga VMRO-DPMNE-ja, për të cilën Zaev tha se ata janë kuadro të pandryshuara të VMRO-DPMNE-së.
“Nëse duhet të numërojë në mënyrë precize, ata janë udhëheqës dhe drejtorë të VMRO-DPMNE-së. Ndërsa nëse ka pasur deri më sot ndonjë që është dashur të ndryshohet, ajo duhet të vërtetohet me procedurë. Shumë vendime kuadrovike janë vetëm kryerës të detyrës. Të gjitha procedurat tjera do të realizohen në mënyrë transparente. Do të shihni njerëz apartiak në shumë institucione, sikurse deri tash. Prioriteti i parë do të jetë kualiteti dhe më pas përvoja, kurse në fund do të merret parasysh përkatësia sociale, intelektuale dhe përkatësisë partiake”, tha Zaev.