Me kërkesë të prokurores Fatime Fetai, gjykata vendosi që procedimi penal kundër të akuzuarit të shtatë në rastin e dhunës në komunën e Qendrës, Dimçe Krstev, të bëhet ndaras.
Fetai tha se në çdo seancë mungon ndonjëri nga të akuzuarit.
“Nuk e di nëse ndonjëherë do t’i mbledhim të gjithë të akuzuarit. Një vit, dy muaj dhe gjashtë ditë seanca kryesore nuk mund të fillojë, “tha Fetai.
Ndryshe lideri i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministër Nikolla Gruevski, i cili është i akuzuari i parë në lëndën “Dhunë në Qendër” në debatin e sotëm kryesor në Gjykatën Penale u prononcua si i pafajshëm për akuzat që kundër tij i dorëzoi PSP.
Ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, gjithashtu, u prononcua i pafajshëm, duke shpjeguar se as që ka bërë diçka, e as që ndjehet fajtor për diçka.
Faj nuk ndjen as deputetja Daniella Rangellova e cila gjatë ngjarjeve ishte këshilltare në Komunën Qendër.
Si i fajshëm u prononcua Tomisllav Llazarov, koordinator i atëhershëm i grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së në Komunën Qendër.
Tha se ndjehet fajtor dhe se prej kësaj distance kohore është penduar thellë.
Debati kryesor vazhdon me prononcimin e të akuzuarve të tjerë. Gjithsej në këtë rast janë të akuzuar 14 persona.
Më herët avokatët e të akuzuarve kërkuan shtyrje të debatit kryesor.
Në fillim të gjykimit i akuzuari i shtatë Dimçe Kërstev kërkoi shtyrje të gjykimit sepse nuk është ndjerë mirë. Ai në mëngjes është shoqëruar me gardianë sepse ka munguar në seancën e kaluar gjyqësore.
Gjykatësja Mihajllova e liroi Kërstevin nga gjykimi i sotëm dhe me kërkesë të prokurores Fatime Fetai e veçoi procedurën për të, me qëllim që sot të fillojë debati kryesor, me ç’rast Kërstev u largua nga salla gjyqësore.
Në debatin e sotëm kryesor morën pjesë edhe Andrej Zhernovski dhe Sasha Bogdanoviq si të dëmtuar në këtë rast.
Ish-kryeministri Gruevski është i akuzuar nga PSP për nxitje të dhunës që ndodhi gjatë protestave para komunës Qendër në qershor të viti 2013.
Seanca e mëparshme gjyqësore më 28 shtator u shty për shkak të mungesës së dy të akuzuarve.