Seanca e Komisionit për çështje evropiane në të cilën do të shqyrtohen amendamentet për Propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve do të caktohet me siguri për më 22 nëntor, në Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, deklaroi sot kryetari i Komisioni dhe njëherit edhe deputet i BDI-së, Artan Grubi. Grubi e përshëndeti votimin e sotëm për nevojën e sjelljes së ligjit për përdorimin e gjuhëve duke shfaqur shpresë se debati i Komisionit për çështje evropiane do të kalojë në rend sa më të mirë dhe se ligji do të miratohet këtë vit dhe do të arrihet barazi gjuhësore në Republikën e Maqedonisë midis gjuhës shqipe dhe gjuhës maqedonase në të gjitha organet e administratës shtetërore. “Dëshiroj të shpreh zhgënjim nga votimi i VMRO-DPMNE-së në lidhje me nevojën për miratimin e ligjit për gjuhën dhe shpresoj se deputetët e opozitës do të reflektojnë ndërkohë ashtu siç kanë reflektuar edhe qytetarët në zgjedhjet më 15 dhe 29 tetor dhe se do ta ndryshojnë vendimin e tyre në lidhje me këtë çështje dhe do të votojnë për miratimin e ligjit për gjuhët dhe nuk do të jenë kundër”, deklaroi Grubi. Opozita paralajmëroi se do të parashtrojë shumë amendamente për këtë ligj, por Grubi, siç tha, për momentin nuk e sheh nevojën që BDI të parashtrojë amendamente. “Ligji për përdorimin e gjuhëve është prodhim i negociatave shumë të gjata midis LSDM-së dhe BDIsë dhe mendojmë se si marrëveshje politike do të duhet të kalojë sepse në asnjë rast nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e RM-së. Çështjet kontestuese që ishin në ligj tani më i kemi dorëzuar deri te Komisioni i Venecias që ka të bëjë me kartëmonedhat, uniformat e ushtrisë dhe prandaj në këtë pikëpamje nuk shoh ndonjë nevojë për intervenim të amendamenteve në ligj”, tha Grubi. Deputeti i BDI-së mendon se me këtë ligj rrumbullakoset pjesa normative nga Marrëveshja e Ohrit, ndërsa për barazi të plotë të gjuhës shqipe dhe maqedonase është i nevojshëm intervenim kushtetues të cilin për momentin, siç tha “nuk mund ta realizojmë”.
Grubi duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve në lidhje me anëtarët e rinj të Qeverisë tha se nëse do të ketë rikonstruim të qeverisë do të vendosin kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti, partnerë të koalicionit në Qeveri. “Por diçka duhet të jetë e qartë se reformat nuk do të ngecin në asnjë mënyrë”, tha Grubi. Për atë nëse do të votojnë për kandidatët e Aleancës për Shqiptarët, deputeti tha se ka shqetësim të madh te BDI-ja dhe te shqiptarët për shkak të akuzave bazë nga ana e liderit të kësaj partie për Ahmetin për ngjarjet e 27 prillit. Grubi tha se mendojnë se Sela duhet t’i tërheq ose të kërkojë falje për ato akuza.