Qeveria e Republikës së Maqedonisë nuk e përjashton mundësinë që të hapet hetim ndërkombëtar për rastin “Lagja e Trimave”. Këtë e tha sot në konferencën për mediat i pari i Qeverisë, Zoran Zaev, duke shtuar se qeveria nuk dëshiron që të ketë çështje të paqarta në interes të qytetarëve, shkruan Almakos.
“Hap që deri tani është bërë është informimi i përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që të mendojnë në variantet se si kjo do të realizohej. Ne nuk dëshirojmë që të ketë dilema për punë të paqarta të cilat janë në interes për qytetarët. Besoj se do t’i gjejmë mënyrat me bashkësinë ndërkombëtare se si të formohet hetim ndërkombëtar për këtë rast”-deklaroi Zaev në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.
Një nga mënyrat për hetim ndërkombëtarë të këtij rasti është edhe nëpërmjet një kërkese që mund të bëjë komisioni parlamentar i cili është paralajmëruar se do të formohet, pasi të ngrejë iniciativë BDI-ja. Më saktë ky komision mund të kërkojë asistencë ndërkombëtare.
Zërat që kërkojnë hetim ndërkombëtarë të këtij rasti janë ngritur edhe më shumë pas dhënies së vendimit përfundimtarë nga Gjykata Penale ku të akuzuarit morën dënime shumë të larta.
Avokatët e këtij rasti theksojnë se 90% e dënimeve të dhëna nga Gjykata Penale janë të pabaza dhe nuk janë në përputhje me ligjin për procedurë penale.
Ndryshe, sot në krye të kësaj gjykate ka ardhur kryetar I ri. Kryetari i sapozgjedhur i Gjykatës Penale, Ivan Xholev dha betim solemn para anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Xholev gjatë betimit premtoi se nuk do të lejojë presion politik ndaj gjyqtarëve dhe do të insistojë që ta të punojnë sipas ligjeve.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com