Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka hdhur poshtë të gjitha ankesat e parashtruara nga opozita shqiptare për rrethin e dytë të votimit për kryetar komunë në Çair dhe Strugë. Ata kanë injoruar në tërësi vërejtjet e vëzhguesve ndërkombëtarë lidhur me mënyrën se si institucionet e vendit kanë shqyrtuar ankesat për parrëgullësi nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale. Qëllimi i monitorimit të procesit zgjedhor nga vëzhguesit ndërkombëtarë janë mangësitë e konstatuara gjatë votimit, të cilat kërkohen të korigjohen nga institucionet e vendit, njofton Almakos.
Kryetari i Komisionit shtetëror të zgjedhjeve Aleksandar Çiçakovski nuk ka përgjigje konkrete pse anëtarët e Komisionuit shtetëror të zgjedhjeve nuk kanë marrë parasysh vërejtjet e OSBE për sistemin e ankimimit të parregullësive zgjedhore, kur kanë vendosur për ankesat e opozitës shqiptare për rrethin e dytë të votimeve në Çair dhe Strugë.
Në raportin e fundit të OSBE thuhet se sistemi i ankimimit në ditën e votimit është i centralizuar, se KSHZ i ka hedhur poshtë të gjitha ankesat e raundit të parë dhe se Gjykata administrative pa përjashim i ka vërtetuar të gjitha vendimet e KSHZ.
“Mënyra se si trajtoheshin shumë ankimime e ka shkelur parimin e sundimit të ligjit dhe të procesit të garantuar, në kundërshtim me detyrimet që dalin nga anëtarësimi i vendit në OSBE. Gjykata administrative i ka konfirmuar të gjitha vendimet e KSHZ që janë ankimuar”, thuhet në raportin e OSBE-së.
Në vend të sqarojë se pse anëtarët e KSHZ nuk marin parasysh kritikat e OSBE kur shqyrtuan ankesat e Lëvizjes Besa dhe të Aleancës për shqiptarët për parrëgullësitë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Çair dhe Strugë, Çiçakovski thotë se procesi i shqyrtimit të ankesave ka qenë transparent dhe vendimet janë marrë njëzëri nga anëtarët e Komisionit.
“Në lidhje me punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, dhamë përgjigje, seanca ka qenë e hapur, pra publike, ku të gjithë mediat mund t’i shihnin argumentet e të gjithë anëtarëve”, ka deklaruar për ALMAKOS, Çiçakovski.
Ai vlerëson se nuk ka asgjë të kontestueshme që KSHZ ka refuzuar të gjitha vërejtjet e opozitës edhepse refuzimin e tërësishëm të ankesave të opozitës e ka kritikuar OSBE duke e cilësuar si shkelje të parimit të sundimit të ligjit.
“Të gjitha vendimet ishin të njëzëshme ose 9 me 0. Të gjitha argumentet që i dhamë ishin publike, nuk kemi pse të fshehim dhe nuk kam se çfarë të jap më shumë. Ju mund t’i shihni argumentet edhe në ueb faqen e KSHZ-së”, porosit Çiçakovski.
Nëse ky pohim i Çiçakovskit është i vërtet, atëherë shtrohe pyetja se si është e mundur që anëtari i Komisionit shtetëror të zgjedhjeve e propozuar nga Lëvizja Besa, Ermira Asani Salija të ketë votuar kundër ankesave të partisë që përfaqëson në KSHZ.
Delvina Kërluku
Almakos.com