VMRO – DPMNE absolutisht nuk ka pranuar se ka dështuar dhe se është e pashmangshme dorëheqja e kryetarit të kësaj partie, Nikolla Gruevski. Edhepse ka zëra brendapartiake, se dështimi i kësaj partie vjen nga kreu i vet, një lëvizje e këtillë nga ana e tij, nuk është paraqitur. Për ish ambasadorin Nano Ruzhin, njëherë profesor, por edhe për analistin Nijazi Muhamedi dhe Shtabin republikan për reforma në VMRO-DPMNE, thonë se përgjegjësia e rënies së partisë më të madhe, deri dje, vjen nga Gruevski dhe se është e patolerueshme qëndrimi i tij, në krye të partisë. Ndërsa, Ilija Dimovski, nga radhët e kësaj partie, thotë se është herët të flitet për rezultate të këtilla, shkruan Almakos.
“Pas këtyre zgjedhjeve, e pashmangshme është dorëheqja e Gruevskit. Ai ka qenë në pushtet që nga viti 2003 në të gjithë kohën e VMRO-DPMNE-së dhe Kryeministër me rrugën më të gjatë në historinë e RM-së, që nga përbërësi i saj, ose në Kuvendin Antifashist të Çlirimit Popullor të Maqedonisë, të vitit 1944. Është një shembull tipik se si fuqia e fuqisë së dikujt mund ta transformojë njeriun. Siç shkruan një gazetar Gruevski nga boksier, është degjeneruar në qukapik në një makinë në një kategori të rëndë. Kënga e tij e mjellmës është djegur. Ai duhet të jetë i guximshëm dhe i gatshëm të largohet pa vënë instalimet e veta në VMRO-DPMNE, ku do të ndodhë tashmë cunami politik”, tha ish ambasadori Nano Ruzhin, për Almakos.
Analisti Nijazi Muhamedi, mendon se kjo është një çështje brendapartiake për VMRO-në, që do të thotë se atyre u takon të vlerësojnë se është apo jo momenti për ta hequr liderin e tyre, por sipas tij një gjë dihet se asnjë parti nuk do ta bënte këtë sipas qejfit të kundershtarëve të vet dhe veçanërisht jo në një periudhë ku përballë raundit të dytë të zgjedhjeve vendore, kur do marrë fund konkurrenca politike-zgjedhore.
“ Ish-kryeministri Gruevski bile vetë i pari e la hapur çështjen e përgjegjësisë për fiaskon e thellë në këto zgjedhje, por pa e lënë përgjysmë konkurrencën zgjedhore që nuk guxon ta bëjë, bile as një lider minor për nga kapacitetet udhëheqëse, që do të thotë se, dorëheqja ose jodorëheqja pashmëngshmërisht do vihet në tryezë, por pasi të filtrohet kjo përgjegjësi përmes procedurave të brendshme partiake të llogaridhënies politike përballë anëtarësisë dhe elektoratit të saj dhe është e kuptueshme se përmes saj do të dalë një pasqyrë më e plotë e ndërlidhjes së më tepër faktorëve që e kanë shpënë këtë parti përballë greminës dështuese. Në anë tjetër, çështja e kolapsit eventual të VMRO-së nuk duhet pritur si shkas vetëm për ndërrimin e lidershipit të saj dhe jashtë dinamikës së brendshme ndërmjet forcave reformuese dhe joreformuese të saj, dhe as përmes presionit joparimor nga jashtë të rivalëve të saj në skenën politiko – partiake të vendit. VMRO-ja duhet të hyjë në një proces të thelle reformimi dhe riorganizimi në shumë drejtime edhe programore edhe në konceptin e veprimit politik, si në rrafsh të pushtetut lokal, poashtu edhe në atë të qeverisjes me vendin, në raportet e saja me spektrin politik, veçanërisht me partitë që përfaqësojnë shqiptarët dhe që kanë koalicionuar me të, etj, se është e dyta herë nga vitet 1990 që qeverisjet e saj përfundojnë më fiasko degraduese për perspektivën e saj në jetën politike”, thotë analisti Nijazi Muhamedi, për Almakos.
Ai shton se kjo ndodh për arsye se konteksti demokratik me zgjedhjet e fundit parlamentare ka marrë një nisje pak më ndryshe prej atij të deritanishmit dhe mospërputhja, mosadaptimi i VMRO-së me këtë kontekst, afërmendsh që do ta tkurrte kapacitetin e veprirmit dhe të besueshmërisë ndaj saj para elektoratit të vet.
Nga ana tjetër Shtabi republikan për reforma në VMRO-DPMNE dërgoi porosi deri te lideri i partisë Nikolla Gruevski të japë dorëheqje dhe të mundësojë proces demokratik në parti dhe mbajtje të procesit zgjedhor, në të cilin anëtarët lirisht do ta zgjedhin liderin e tyre të ri.
Edhe vetë Aleksandar Mihajllovski nga krahu reformues i VMRO-DPMNE-së theksoi se partia ka pësuar dështim të dukshëm në këto zgjedhje të gjashta me radhë lokale në Republikën e Maqedonisë.
Por, Ilija Dimovski, shef i grupit parlamentar nga rradhët e VMRO-DPMNE-së, e mohon humbjen e kësaj partie dhe dorëheqjen e kryetarit Nikolla Gruevski, dhe thotë shkurt, për Almakos, që rezultatet do të shihen pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, të 28 tetorit.
Delvina Kërluku
Almakos.com