Atë që nuk e bënë në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, vendosën ta bëjnë në raundin e dytë.
Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, sot zyrtarizuan bashkëpunimin dhe përkrahjen reciproke për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, konferencë gjatë së cilës shfaqën shpresa për bashkëpunim edhe në zgjedhjet e ardhshme, shkruan Almakos.
Megjithatë të pyetur se përse nuk e bënë një bashkëpunim të tillë prej më herët, sepse ashtu do t’u kursenin të gjithëve këtë raund të dytë, pasi që sipas rezultateve zyrtare së bashku mund të fitonin në shumë komuna, Elmi Aziri nga ASH dhe Afri Gashi, nga BESA, thanë se kur e shkuara vendoset në qendër të vëmendjes, atëherë ajo bëhet pengesë për përmirësimin e të ardhmes.
“Duhet të fokusohemi nga e ardhmja. Shpeshherë ndodh që e kaluara të bëhet pengesë për të ardhmen. Opinioni e di që kemi bërë përpjekje që edhe në rrethin e parë të zgjedhjeve të bëhemi bashkë, por nuk ndodhi, por edhe atëherë kemi lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit.”-ka thënë Aziri, shef I shtabit zgjedhor në ASH.
Sa u përket informacioneve që po qarkullojnë në media se pas raundit të dytë, ASH, mund të mos vazhdojë të jetë pjesë përbërëse e Qeverisë, Aziri, tha se vendin në qeveri nuk e kanë vendin ata të cilët kanë qenë pjesë e sistemit të kriminalizuar, ndërsa shtoi se Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të përpiqet për zbatimin e reformave.
Optimizëm për këtë koalicionim shfaqi edhe Afrim Gashi, kryetar shtabi në Lëvizjen BESA, ndërsa përgjigje nuk morëm rreth asaj se cila palë e pamundësoi bashkëpunimin në raundin e parë.
“ Të shpresojmë se kjo frymë do të sjellë ndryshim, frymë pozitive në të ardhmen. Apelojmë deri tek qytetarët që të japin kontribut maksimal që të bëjnë të mundur menaxhimin e komunave nga një parti e re. Ne shpresojmë që ky koalicion të jetë i suksesshëm dhe të mund të garojë edhe në zgjedhjet e ardhshme”- tha Gashi.
Ndërkohë përfaqësuesi nga Lëvizja Besa, Afrim Gashi, i pyetur nëse partia e tij ndjehet humbëse në Tetovë dhe se a është e vërtetë se në raundin e dytë do të kenë mbështetje edhe nga VMRO-DPMNE, tha se spekulime të tilla s’ia vlen të komentohen.
“ Votat që siguruam në Tetovë, nuk i siguruam në koalicion me asnjë parti tjetër politike, por duke garuar të vetëm. Andaj nuk kemi pse të ndjehemi humbës. Spekulimet për bashkëpunim të partisë tonë me VMRO-DPMNE nuk ja vlen as të komentohen, ne sot këtu me sa mund ta shihni nuk jemi me VMRO-DPMNE, por me Aleancën për Shqiptarët”- tha Afrim Gashi.
Dy përfaqësuesit e partive të koalicionimit më të ri, thanë se vet qytetarët që do vendosin se cila është mundësia më e mirë për ata, pasi votat nuk janë pronë e asnjë partie politike. Ata kërkuan nga LSDM-ja që në raundin e dytë së paku të jetë neutrale.
Sipas Gashit, me mbështetjen e BDI-së në zgjedhje, LSDM-ja tenton të ndërhyjë në vullnetin politik të shqiptarëve, duke e krahasuar më situatën e vitit 2006, kur PDSH hyri në koalicion me VMRO-DPMNE-në pa pasur verdiktin e popullit shqiptar.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të zhvillohet më datë 29 tetor në 35 komuna.
Aleanca për Shqiptarët do të mbështesë Lëvizjen BESA 7 komuna, ndërsa Lëvizjen BESA -Aleancën, në 5 Komuna.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com