Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me Fakultetin e Inxhinierisë të Inony Universitetit nga Malatija e Republikës së Turqisë organizuan simpoziumin shkencor ndërkombëtar për bimët mjekësore, aromatike dhe ngjyruese. Simpoziumi u mbajt në Universitetin Inony, më 5-7 tetor 2017, ku tuboi së bashku shkencëtarë, hulumtues dhe delegatë të kësaj fushe. Në këtë tubim shkencor u shpalosën përparimet e kohëve të fundit në teknologjinë e bimëve mjekësore, aromatike dhe ngjyruese dhe u përcaktuan prioritetet e veprimit për të ardhmen. Simpoziumi u përqendrua në informimin dhe mbrojtjen e bimëve mjekësore dhe aromatike që rriten në Turqi, si shtëpi e llojeve të shumta endemike; zhvillimet e fundit teknologjike në lidhje me përpunimin dhe qasjet rreth zgjidhjes së problemeve të industrisë. Nga simpoziumi u ndërmorën veprime në lidhje me të ardhmen e bimëve mjekësore, aromatike dhe ngjyruese me pjesëmarrjen e palëve të interesuara në lidhje me këtë çështje.
Në emër të Universitetit të Tetovës dhe Dekanit të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, pjesëmarrësve në këtë simpozium ju drejtua profesori i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Doc. Dr. Erhan Sulejmani, i cili foli për studimin e parametrave bio-morfologjike të disa bimëve mjekësore dhe aromatike të Malit Sharr në Maqedoni. Ai tha se, “tendenca globale për promovimin e stilit të jetesës dhe të ushqyerit të shëndetshëm ka krijuar një industri të fuqishme për bimët mjekësore dhe aromatike që sot në tregun botëror ka një të ardhur vjetore mbi 25 miliardë euro”. Gjithashtu, potencoi se përshtatshmëria e faktorëve të klimës dhe tokës në vend krijojnë ekskluzivisht biodiversitetin e pasur në Maqedoni. Prania e specieve ekonomikisht të rëndësishme e bimëve mjekësore dhe aromatike që gjenden rastësisht në rajone të caktuara, konfirmojnë mundësinë e kultivimit të llojeve të njëjta, sepse ato mbillen në të njëjtën strukturë toke dhe në kushte identike mikro – klimatike.
Në emër të Inony Universitetit, me fjalë përshëndetëse ju drejtua Rektori Prof. Dr. Ahmet Kizilaj. Në fjalimin e tij potencoi që kampusi i İnony Universitetit është një nga kampuset më të bukura të Turqisë dhe shtoi: “Ne jemi një universitet i përparuar në lëmin e mjekësisë. Ne jemi universiteti i 14-të i renditur në Turqi. Spitali ynë është ndërtuar nga presidenti i 8-të i Turqisë, Turgut Ozal. Qendra jonë mjekësore është e para në Evropë dhe Turqi dhe e dyta në botë, në transplantimin e mëlçisë në organizmat e gjallë. Ka qenë një sukses i vazhdueshëm për nëntë vite dhe projekti më i rëndësishëm i epokës sime është Spitali Onkologjik si qendër regjionale”.
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Prof. Dr. Ali Adnan Hajaloglu, në këtë solemnitet theksoi se përdorimi i bimëve mjekësore dhe aromatike është aq i vjetër sa edhe historia e njerëzimit. Ai tha se në këtë simpozium janë paraqitur mbi 500 punime shkencore, nga të cilat 308 punime janë përzgjedhur nga komisioni shkencor, edhe atë, 84 prezantime me gojë dhe 224 punime posteriale, që vërtetojnë rëndësinë dhe suksesin e këtij simpoziumi.
Gjatë këtij simpoziumi u shpreh interesimi i madh në potencialin e biodiversitetit të bimëve mjekësore dhe aromatike të Malit Sharr në Republikën e Maqedonisë dhe u diskutua mundësia e zhvillimit të projekteve rreth identifikimit, sistematizimit dhe industrializimit të tyre, njofton Zyra për informim në UT.
D.K
Almakos.com