Në kinemanë “Milenium” sonte në orën 19:30 do të hapet Festivali i pestë për të rinj “Xhifoni Maqedoni”, me projeksionin e filmit “Hunting Flies” në regji të Izer Aliut. Filmi është me buxhet të ulët, i xhiruar në vitin 2016, ndërsa premierën botërore e kishte në festivalin në Toronto. Regjisori Izer Aliu ka origjinë shqiptare nga Maqedonia, jeton në Suedi dhe Norvegji ku e ka përfunduar arsimin e lartë për film. Filmi i tij artistik “Hunting Flies” në të cilin rolin kryesor e luan aktori i njohur, Burhan Hamiti, është xhiruar në Kondovë ndërsa filmi paraprak i shkurtër i regjisorit Aliu “To Guard a Mountain” është xhiruar në Radushë të Shkupit.
Jurinë internacionale të Festivalit të pestë “Xhifoni Maqedoni” do ta përbëjnë mbi 700 të rinj nga 12 shtete nga Evropa të moshës nga dhjetë deri në 18 vjeç. Do të shfaqen 15 filma artistik nga konkurrenca zyrtare, si dhe shumë filma të shkurtër dhe dokumentarë. Janë planifikuar edhe 11 punëtori për film, teatër, muzikë dhe vallëzim, si dhe disa aktivitete shoqëruese. Programi i festivalit për edicionin e sivjetmë të festivalit do të kumtohet sot në konferencë shtypi në Qendrën Kulturore të të Rinjve në orën 11, në të cilën është paralajmëruar pjesëmarrja edhe e Klaudio Gubitozit, drejtor dhe themelues i festivalit “Xhifoni Eksperiencë” (Giffoni Experience) nga Italia.