Partia Aleanca për Shqiptarët e ka cilësuar si të qetë ecurinë e fushatës zgjedhore, kur kanë mbetur edhe 4 ditë deri në përfundimin e saj.
Por, zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Agon Ferati, në pres konferencën e sotme në Tetovë tha se edhe përkundër këtij vlerësimi, fushatës nuk i kanë munguar incidentet e izoluara.
“Rastet e fundit janë ditëve të kaluara kur në komunën e Zhelinës kemi material të dëmtuar propagandues, në Haraçinë disa anëtarë janë ftuar në bisedë informative nga policia, në Shkup janë keqpërdorur fëmijët dhe profesorët për fushatë zgjedhore, duke lënë mësimin, dhe i janë drejtuar tubimit të BDI-së. Kërkojmë nga OSBE të evidentojë këto parregullsi”,- deklaroi zëdhënësi i Partisë Aleanca për Shqiptarët, Agon Ferati.
Në një tjetër pres konferencë në Gostivar, kandidatja për këshilltare komunale, Njomza Shaqiri, ka akuzuar kryetarin aktual të komunës dhe kandidatin e BDI-së edhe për mandatin e ardhshëm se e ka kthyer komunën në çiflig të tij, duke i trajtuar të gjithë banorët e saj si skllevër.
Sipas Shaqirit, shqiptarëve po u blihet vota edhe atë për çmim shumë të lirë, ndërkohë që politikanët aktualë, shumica e të cilëve kanë hyrë të varfër në politikë, janë kthyer në milionerë.