Maqedonia të punojë në mënyrë demokratike dhe të vazhdojë procesin e reformave. Ky është mesazhi të cilin ia ka dhënë Komisari për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore të BE-së, Johanes Hahn, kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, gjatë takimit që kanë pasur në New York.
Siç kanë njoftuar nga shërbimi për informim i Qeverisë, Hahn, i ka vlerësuar iniciativat e Qeverisë së Maqedonisë për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal si të dobishme në procesin e integrimit të gjithë Ballkanit Perëndimor në integrimet euro-atlantike.
Nga ana tjetër kryeministri Zaev ka njoftuar Hahnin se Qeveria e Republikës së Maqedonisë është e përqendruar në mënyrë aktive në realizimin e Planit reformues 3-6-9 dhe aktivitetet e nevojshme për realizim të qëllimeve strategjike euro-atlantike të shtetit.
ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË
“Qëllimi ynë është që të krijojmë kushte për jetë cilësore për qytetarët te Maqedonisë dhe për integrimet euro-atlantike. Me të drejtë presim lëvizje në integrimet evropiane në vjeshtë, përmes heqjes së kushtëzimit të rekomandimit, ndërsa pastaj edhe datë për negociata. Paralelisht konsiderojmë se i përmbushim kushtet e nevojshme edhe për integrimin në NATO”
Në takim është biseduar edhe për mundësitë e hapura për progres të Maqedonisë në plan ekonomik, përmes interesit të rritur të investuesve vendor dhe të huaj dhe kontributin që do të kenë perspektiva të hapura euro-atlantike për zhvillimin ekonomik të Republikës së Maqedonisë. Enis Murtezi /SHENJA/