Edhe kreu i Parlamentit Talat Xhaferi, organizoi pritje me rastin e Ditës së Pavarësisë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të qeverisë, deputetë nga përbërja aktuale dhe e kaluar, përfaqësues të korit diplomatik, bashkësitë fetare, sektori civil dhe i biznesit.
Xhaferi në fjalimin e tij tha mes tjerash se para 26 viteve, u determinuan edhe qëllimet strategjike, si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin e jashtëm.
“Maqedonia ishte definuar si shtet qytetar i cili bazohet mbi të drejtat dhe liritë njerëzore individuale dhe kolektive, mbi parimet e demokracisë parlamentare dhe sundimin e të drejtës, respektimin e pronës private dhe rregullave të tregut. Kjo shumicë parlamentare, ka guxim, ka vullnet, në realizimin e qëllimeve tona strategjike të definuara, para 26 viteve. Në këto procese pres që kontributin e vet ta japë edhe opozita me kritika të argumentuara mirëpo edhe me propozime konstruktive. Ndërsa shumica ka obligim që të krijojë kushte që opozita të mundet gjithë këtë ta artikulojë përmes institucioneve në mënyrë transparente para opinionit. Shpresoj se të gjithë ne që jemi në politikë, i mësuam postulatet themelore të demokracisë parlamentare, në plan të parë gjithmonë të jetë qytetari, të drejtat dhe liritë e tij, e tashmja e tij stabile dhe ardhmëria më e mirë”, tha Xhaferi.