Shumica e mediave të mëdha në Serbi kanë pasur në fokus incidentin diplomatik të tërheqjes së personelit nga ambasada serbe në Shkup. Titujt bombastikë të gazetave serbe shpalosin akuza e teori të konspiracioni për arsyet përse ndodhi ky incident, ku kryeministri Zoran Zaev akuzohet rëndë për përgjimin e stafit diplomatik të Serbisë, ndërsa akuzohet edhe për përgjimin e krerëve të lartë shtetëror. Gazeta me tirazhin më të madh, “Blic” ka shkruar se ”Maqedonia ka përndjekur dhe ka bërë presion ndaj diplomatëve serb”.
“Presidenti Vuçiç nuk ka zbuluar më shumë detaje, vetëm se organet tona kompetente kanë ardhur deri të të dhëna për një veprim të fuqishëm ofeniv kundër institucioneve dhe organeve të Serbisë. Marrëdhëniet mes vendeve kanë rënie pasi në postin e kryeministrit erdhi Zoran Zaev”, shkruan mes tjerash e përditshmja Blic.
Gazeta “Veçernji Novosti” në numrin e sotëm ka dalë me titull bombastik ”Maqedonasit e kanë përgjuar edhe kreun serb”, ndërsa “Informer” ka shkuar edhe më tej me titullin ”Skandal! Maqedonasit e kanë përgjuar edhe Vuçiqin”. Ndërsa, gazeta “Allo” vlerëson në titullin kryesor të saj se ”Vëllai Zaev nguli thikën pas shpine”. Në mesin e tre nëntitujve, “Allo” akuzon Zaevin se ka urdhëruar të spiunohen serbët në ambasadë, se ju ka premtuar shqiptarëve që Kosova do të anëtarësohet në UNESCO dhe se Serbinë e ka vendosur në listën e vendeve që financojnë terrorizmin.
B92 është përqëndruar tek rasti i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO dhe qëndrimi i Maqedonisë gjatë votimit eventual. Në këtë temë B92 ka shkruar ”Zaev e ka ndërruar qëndrimin. Para tre muajve ka qenë ‘neutral’ ndaj Kosovës”. Akuza më e rëndë ka ardhur nga “Telegraf” i cili mban titullin bombastik: ”Zaev i shpall luftë Serbisë”. Në këtë tekst Telegrafi serb shkruan se përgjimi dhe përndjekja e diplomatëve serb është shkak i tërheqjes së gjithë stafit të Ambasadës serbe në Shkup. Arben Zeqiri