Marrëveshja e Ohrit, në periudhën e nënshkrimit të saj u pa si garantuese për një respektim më të madh të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. 16 vjet më pas, realizimi i saj vlerësohet ndryshe nga palë të ndryshme. Analistë e politikanë të ndarë në dy , në një anë qëndrojnë ata që shprehen se marrëveshja nuk është realizuar, ndërsa në anën tjetër qëndrojnë ata që thonë se plotësisht nuk mund të realizohet një marrëveshje, por se nuk mund të thuhet as se ka dështuar, shkruan Almakos.
Analistët preferojnë të mos komentojnë për atë se a i duhet Maqedonisë një marrëveshje e re dhe se a do të thotë se e njëjta do të realizohej më mirë se MO, në rrethanat në të cilat jemi?
Sipas analistit, Xhelal Neziri, nuk ka marrëveshje që mund të zgjidhë të gjitha problemet, andaj edhe MO është vetëm një platformë e tejkalimit të tyre në mënyrë paqësore dhe të civilizuar.
“U bë modë të nënçmohet Marrëveshja e Ohrit, të propozohen alternativa, të shpallet e vdekur… Në radhë të parë, kjo është një mosmirënjohje ndaj përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar (SHBA, BE, NATO, OSBE) për të parandaluar një luftë civile siç ishte parë në Bosnjë, gjë që fatmirësisht rezultoi me sukses. Përveç germës, çdo dokument i paqes ka frymën që duhet respektuar dhe leksionin që duhet mësuar. Andaj, respektimi i MO është kultivimi i paqes dhe përparimit. Devalvimi, mosrespektimi, partizimi dhe përçmimi i saj është tentim për të minuar paqen”- tha Neziri.
Mendim paksa më ndryshe ka analisti Arsim Sinani, për të cilin ka jo pak çështje, të cilat kanë mbetur të pazgjidhura dhe realizimi i të cilave është cekur në dokumentin e nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001.
“Shikuar në tërësi Marrëveshja e Ohrit ka çështje të cilat nuk janë prekur. Unë mendoj se duhet kjo të fillojë të zbatohet nga muzeu i shtëpisë së “Nënës Terezë” ku do të duhej më së pari të vendoset një administratë shqiptare, të përdoret gjuha shqipe dhe të përdoret si një simbol mes palës maqedonase dhe shqiptare. Megjithatë, çështja e parë që duhej të zgjidhet dhe që nuk është zgjidhur është socializmi dhe rikthimi i ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të trajtohen në mënyrë të barabartë si ish pjesëtarët e forcave Maqedonase, dhe e dyta çështja e gjuhës shqipe, e cila duhej të ishte gjuhë zyrtare si gjuha Maqedonase dhe jo të quhet si gjuha e 20%shit”– tha Arsim Sinani, analist.
Ndryshe sa u përket partive politikë, kreu i BDI-së Ali Ahmeti , një ditë më parë për TV21 deklaroi se mënyra më e mirë për shënimin e 16 vjetorit të MO, është nëpërmjet Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe se kapitulli i fundit i kësaj marrëveshje do të mbyllet me zyrtarizmin e gjuhës shqipe. Sipas Ahmetit, MO ka ndikuar shumë në respektimin e të drejtave të shqiptarëve.
Megjithatë mendim krejtësisht tjetër kanë nga Lëvizja BESA, parti e cila ka vendosur të jetë një opozitë aktive dhe kritike, posaçërisht kur në pyetje janë të drejtat e shqiptarëve. Bilall Kasami dhe partia e tij, mbesin në qëndrimin e tyre se vetëm me një marrëveshje të re Maqedonia do të bëhej një shtet i barabartë për të gjithë.
Më 13 gusht të vitit 2001, pra si sot 16 vite më parë, u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit nga kryetari i atëhershëm i Maqedonisë, Boris Trajkovski, kryeministri i atëhershëm, Lubço Georgievski, liderët e LSDM-së Branko Cërvenkovski, të PPD-së, Imer Imeri dhe ai i PDSH-së, Arbën Xhaferi.
Evi Shkopi
Almakos.com