Si pasojë e aksionit te Sektorit për punë të brendshme në Tetovë për
mënjanimin e shitësve ambulant me shumicë të produkteve sezonale nga rrugët e qytetit të Tetovës,
sot një grup i shitësve protestuan përpara objektit të Komunë së Tetovës për të shprehur pakënaqësinë e tyre nga ky aksion.
Përfaqësuesit e shitësve u pritën në takim nga ana e autoriteteve komunale, me ç’rast u dëgjuan kërkesat e tyre dhe u diskutuan mundësitë për një zhgjidhje afatshkurte të problemit të tyre rreth
gjetjes të një lokacioni adekuat ku ata do të munden të ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik, në mënyrën e cila nuk do të pengonte komunikacionin dhe qarkullimin e lirshëm të këmbësorëve në
trotoaret dhe rrugët qendrore të qytetit.
Vlen të theksohet fakti se Komuna e Tetovës, respektivisht NPK Tetova 3 vite më parë bëri promovimin e tregut të hapur me shumicë, në hapësirën përballë stacionit të autobusëve në Tetovë, mirëpo ky lokacion nuk u mirëprit nga shitësit ambulant të cilët me çdo kusht kërkonin të shisnin
produktet e tyre në bulevardet dhe rrugët më të frekuentuara në qytet, dukuri kjo e cila nga ana tjetër vështirësonte qarkullimin dhe rrjedhën normale të komunikacionit dhe qytetarëve.
Komuna e Tetovës gjithnjë ka pasur qasje inkluzive dhe pozitive ndaj kërkesave të të gjithë qytetarëve e veçanërisht ndaj shitësve sezonal të produkteve bujqësore, duke pasur parasysh edhe respektuar elementin social dhe ekonomik të kësaj veprimtarie. Andaj besojmë që në ditët në vijim me angazhimin e të gjitha palëve do të gjendet një zgjidhje optimale rreth këtij problemi thuajse 20 vjeçar në komunën e Tetovës.