Junus Muaremovski nga fshati Batincë, ka një kope të deleve që numëron mbi 300 kokë. Në bazë të kësaj, ai pretendon se në vit duhet të marrë rreth 5000 euro nga subvencionet e ndryshme që ofron Qeveria për bujqit dhe blegtorët. Mirëpo, gjatë 6 viteve të fundit, subvencione ka pranuar vetëm për një vit. Muaremovski akuzon autoritetet për neglizhencë dhe diskriminim, pasi sipas tij, po i privohet e drejta për të fituar subvencione. Bile, ai thotë se subvencione ka pranuar vetëm në vitin kur ka pasur zgjedhje.
“Në vitin 2015, për shkak të zgjedhjeve na i kanë lëshuar, nuk e dijë se si janë gënjyer. Edhe tas në vitin 2016 hala nuk na kanë lëshuar paratë. Të tjerët, ndokush ka marrë, un hala ma pa marrë i kam subvencionet”, tha blegtori Junus Muaremovski.
Për mosrealizimin e pagesave të subvencioneve, Junus Muaremovski është ankuar në gjykatë, duke e dërguar lëndën në Gjykatën Administrative. Kjo e fundit madje ka sjellë vendime në favor të blegtorit Muaremovski. Por edhe krahas kësaj, pagesat akoma nuk janë realizuar. Sipas Muaremovskit, nga Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi arsyetohet me borxhin të cilin e ka pasur Muaremovski për një traktor të blerë me kreditë që i mundësonte Ministria e Bujqësisë. Muaremovski thotë se fillimisht ka kërkuar kompensimin e borxhit me subvencionet. Pasi kjo i është refuzuar, ai ka paguar borxhin, por sërish nuk ka arritur të inkasojë paratë nga subvencionet.
“Traktorin më kanë thanë me e paguar, e pagova. I morra paratë borxh dhe e pagova traktorin. Prapë ia nisi e njëjta punë. Jo nuk mundet tash, duhet të paguhet edhe kamata. Kur e pagova traktorin lypa vërtetimin se e kamë bërë pagesën. Ma dhanë vërtetimin. 3 muaj pas vërtetimit, më thanë se duhet të paguaj kamatë. Sa duhet të paguaj? Afër 800 mijë denarë. Domethënë subvencionet që duhet t’i marr, duhet t’i çoj në kamatë tek ata”, theksoi Muaremovski.
Televizioni SHENJA kontaktoi me përfaqësuesit e Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi, përkatësisht me përgjegjësit e sektorit për subvencione, të cilët nuk ishin të gatshëm të japin ndonjë sqarim për këtë situatë. Ndërkohë, Muaremovski mbetet me shpresë që me ndryshimin e Qeverisë, do të ndryshojë edhe qasja neglizhente e institucioneve.
src=”//www.dailymotion.com/embed/video/x5qg4li” width=”480″ height=”270″ frameborder=”0″ allowfullscreen=”allowfullscreen”>[embedded content]
Blegtori nga Batica 5 vjet nuk ka marrë… by tvshenjaofficial