Gjatë ekzistimit të Republikës së Maqedonisë , në tregun e mediave kanë qenë present shumë gazeta, televizione dhe revista shqiptare. Gazeta “Flaka” ka ekzistuar në tregun e mediave më shumë se 50 vite. Kanë qenë gazeta “Fakti”, “Koha e Re”, “Alternativa”, “Lobi”, pastaj revistat për fëmijë “Gëzimi”, “Fatosi”, etj. Fati i tyre nuk është zbardhur! Por, edhe sot gazetat janë me një këmbë në gropë. Ismail Arsllani, gazetar që ka punuar me vite të tëra në gazetat brenda dhe jashtë vendit thotë se shuarja e mediave në vend vjen si shkak të krizës së thellë të identitetit, por edhe ekonomike.
“ Mediat në Maqedoni , sipas zhvillimeve të fundit, dëshmojnë për një krizë të thellë identiteti. Me këtë është i lidhur ngushtë varësia financiare e më shumë mediave në vend, që lidhin ekzistencën me burimet e dyshimta dhe jo të qëndrueshme financiare. Nga kjo del konstatimi se të gjitha mediat që s’janë të pavarura, po vulosin fatin me mbylljen e tyre. Kjo më së shumti është karakteristike për mediat në kampin maqedonas, të cilat kryesisht po shfrytëzojnë benefitet e pushtetit të partizuar. Kur një parti në pushtet humb qeverisjen, “kullat prej letre” rrënohen shumë lehtë. Mediat shqiptare duhet të nxjerrin mësim nga kjo situatë, nëse dëshirojnë të mbeten në skenën informative. Pra, lakmia e disa mediave në Maqedoni pas parave “të kushtëzuara”, i bëjnë ato apriori jo të pavarura dhe vetë mbyllin perspektivat e zhvillimit”, thotë Arsllani, për Almakos.
Ai mendon se së këndejmi, qeveria e re që pretendon të jetë reformatore, duhet të bëjë ndryshime legjislative në bashkëpunim me Lidhjen e Gazetarëve, në mënyrë që të përmirësohet jo vetëm pozicioni dhe statusi i mediave, por edhe i gazetarëve, të vihen themelet e gazetarisë së pavarur e profesionale, të sigurohet liria e fjalës, në mënyrë që mediat e këtushme të mbijetojnë pas një krize të thellë. Po ashtu, duhet hapur shtegu edhe për themelimin e mediave të tjera të mirëfillta, të cilat, me forcën e argumenteve të fjalës së shprehur, do të ngrinin shoqërinë në nivel më të lartë dhe do të konsolidonin proceset demokratike në vend.
“Në këtë kontekst s’duhet harruar edhe mediat që pësuan gjatë periudhës së tranzicionit, ato që kishin vlera kombëtare dhe traditë më të gjatë të prezencës në opinionin publik, që ngritën dhe arsimuan popullin në një periudhë të vështirë të emancipimit e të zhvillimit, përkundër faktit që funksiononin në një sistem tjetër, tashmë të shkallmuar”, thotë Arsllani, për Almakos
Ndërsa, Demush Bajrami, që ka punuar gazetar dhe redaktor në gazetën ditore ”Flaka”, sot profesor në UEJL thotë se liria e mediave në Maqedoni nuk është e lirë dhe demokratike.
“Një shoqëri që nuk arrin të konsolidojë pejsazhin mediatik, e ka të vështirë të konsiderohet plotësisht e lirë dhe demokratike. Së këndejmi, duhet thënë se as Maqedonia nuk mund të pretendojë se është shoqëri plotësisht e lirë, për arsye se këtu më shumë mbyllen se hapen media dhe politika mediat i përdorë si transmision të mesazheve afatshkurëra që nuk kanë kurrfarë interesi publik. Që moti janë detektuar këto probleme në shoqërinë tonë, por vetë njerëzit e mediave e kanë pasë të vështirë ta riparojnë gjendjen, sepse jo rrallë, edhe vet ata kanë qenë pjesë e këtij degradimi që i është bërë profesionit të tyre. Nëse në të kaluarën jo shumë të largët sistemi monist prodhonte njëmendësi që funksionalizonte diskursin e njëtrajtshmërisë burokratike, tani në sistemin pluralist media dhe gazetarët nuk arritën të lirohen plotësisht nga këto recidiva të mendësisë së shkuar moniste”, thotë Bajrami, për Almakos.
Ai shton se tek ne vazhdojnë të mbeten tema për t’u diskutuar seriozisht: Liria e medias dhe mundësitë për zgjidhjen e sfidave të shumta, për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e lirisë së medias dhe parimet e saj themelore dhe tjetra, që ka të bëjë me faktin se pse media nuk po e përmbush rolin e saj historik për të qenë në ballë të ndryshimeve shoqërore.
“Victor Hygo thoshte se shtypi (media) është “nëna e të gjitha revolucioneve”, ndonëse sot po ndodh e kundërta. Media (kuptohet me përjashtime) është kthyer në një prej mbrojtësve më të qëndrueshëm të situatave më apatike, të paqëndrueshme, të “status quo-ve”, etj. Kriza e medias nuk do të thotë vetëm mungesë informimi, por ajo sikur po e prodhon një “vetëdije klienteliste” që punon për përfitimet e grupeve të fuqishme shoqërore e politike e kundër demokracisë dhe vetëdijesimit qytetar.
Media e tillë, siç duket sistematikisht po e shkatërron kuptimin që ta informojë dhe orientojë publikun në botën reale. Kjo, e ka zhytur median në krizë të thellë. Kjo ndodhë, para së gjithash edhe për shkak të krizës financiare në media.
Kur jemi tek media e shkruar, tirazhi i tyre në mënyrë drastike ka rënë dhe kjo e ka bërë të pamundur që gazetat t’i rezistojnë këtij trendi. Prandaj, sot lexuesit, edhe nëse e gjejnë gazetën e tyre, e kanë të vështirë të gjejnë tek ajo një qëndrim të paanshëm.
Jotransparenca e afrisë së medias me bizneset ka bërë që shpesh ajo të kthehet në çështje krize në media. Kriza në mediat e shkruara tashmë është kryesisht nga rritja e pranisë së mediave të reja (sociale) në Internet, duke u manifestuar fillimisht përmes hapësirës reklamuese.
Si zgjidhje për këtë situatë, do të ishte mirë që të krijohej një organ i pavarur i medias së shkruar që do ta parashihte subvencionimin e këtyre mediave nga buxheti shtetëror që të mund të funksiononin, por gjithnjë duke e pasur parasysh domenin publik, pra të veprojë në interes të publikut, që do të thotë se shteti nuk duhet të ndërhyjë në politikën e tyre editoriale.
Por, dorën në zemër, përvoja e deritanishme ka nxjerrë në pah ndërhyrjet e tepërta të qeverisë në politikën e mediave, e cila shpesh ka rezultuar në vënien e medias në shërbim të partisë në pushtet. Media në kushte të ekonomisë së tregut nuk guxon të jetë zgjatim i politikës, por të jetë në shërbim të interesit public”, thotë Bajrami, për Almakos
- Ndërsa, Shoqata e Gazetarëve (SHGM) ka thënë para mediave vendore se mediave mbi të gjitha i duhet pavarësi financiare dhe status më i mirë i gazetarëve, që është kusht për media dhe gazetarë të lirë. Ende nuk ka asnjë sinjal nga Qeveria për ulje në tryezën e bisedimeve, por nga SHGM thonë se do të insistojnë që të marrin masat për të tejkaluar ngërçin e krijuar. Kërkesat e tyre konsistojnë në krijimin e kushteve për të krijuar një treg të lirë mediatik, për reduktimin e çmimit të licencave, për dhënien e subvencioneve sidomos për mediat e shkruar, sipas kushteve dhe kritereve rigoroze, e të tjera.
D. Kërluku
Almakos.com