Ashtu si para dy viteve edhe kësaj radhe në Poroj përsëritet gabimi i njejtë. Pas vërshimeve të fundit që kapluan këtë fshat, Komuna dhe Qeveria janë përqendruar vetëm në sanimin e dëmit, por jo edhe në zgjidhjen përfundimtare të problemit. Makineria e rëndë kishte arritur të pastrojë dhe lirojë shtëpitë e bllokuara, është sanuar sistemi i ujësjellësit, por uji ende nuk mund të pihet. Kryetari i bashkësisë lokale thotë për televizionin Shenja se veprimet që po ndërmerren nuk paraqesin zgjidhje të problemit, por vetëm sanohen pasojat. Ai paralajmëron se rreziku për përsëritje të vërshimeve me pasoja edhe më të rënda mbetet edhe më tej. Ai thotë se zgjidhja duhet të kërkohet në fshatin Gjermë prej ku vijnë ujrat vërshues dhe rrëshqitja e dheut.
“Sistemi i rrjetit të ujësjellësit dje u përfundua, e rregulluam dhe u lëshua uji për gjithë banorët e fshatit Poroj. Jo për pije nuk është ende, ato shtëpi që ishtin të bllokuara tash për momentin janë liruar, vetëm për në këmbë dhe për mjete vetura”…“Jo nuk mund të zgjidhet problemi njëherë e përgjithmonë, sepse e njëjta është bërë në 2015-tën, neve na është përsëritur e njëjta. Ky problem zgjidhje ka vetëm intervenimi prej lartë, me masat që duhet ti merr qeveria, institucionet kompetente që janë për ato punë”, deklaroi Sulejman Ramadani, kryetar i B.L.Poroj.
Por edhe sanimi i dëmeve nuk bëhej ashti siç ishte paraparë në konkluzat e Qeverisë. Sot në Poroj nuk dukeshin askund përfaqësues të Ministrisë për transport dhe lidhje dhe asaj për menaxhim me ujrat. Të vetmit që kishin ardhur ishin përfaqësues të drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim dhe qendrës për menaxhim me kriza. Hapja e rrugës drejt kalimit kufitar në Jazhincë do të zgjasë edhe disa ditë.
“Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim me kërkesë të qeverisë dhe me vendim të qeverisë, në bashkëpunim me komunën, prej datës së vërshimeve është në teren. Për momentin kemi tre pika për intervenim, pikën e parë siç e shihni këtu rrugën e kemi liruar për banorët, pika e dytë është rruga Tetove-Jazhincë dhe pika e tretë është fusha. Për momentin kemi makineri të rëndë, 10 ekskavator dhe makineri tjera të rënda dhe 22 kamion. Me këtë intensitet që kemi filluar, mendoj se për një afat të shkurtër mund të bëhet edhe debllokimi i rrugës…Të gjithë veprimet dhe intensiteti i punës varen nga kushtet klimatike si dhe nga tharja e baltës që e shihni atje poshtë”, thanë nga Qendra për menaxhim me kriza.
Nga vërshimet e tre dite më parë në fshatin Poroj ishte rrënuar edhe urra që lidh dy pjesët e këtij fshati. Urra e re e përkohshme sot ndërtohej nga vetë banorët dhe jo nga institucionet. Komuna u kishte siguruar vetëm një pjesë të materialit, ndërsa punimet realizoheshin nga fshatarët.
“Kjo urë po bëhet urë kalimi vetëm për në këmbë, e përkohshme. Materiali një pjesë shumë të madhe e bie komuna, për një pjesë të vogël që ka nevojë dhe që kemi harruar të mbajmë shënime, ato do i mbulojmë vetë edhe punën e dorës do e bëjnë vetë banorët e fshatit. Fusha është e dëmtuar shumë, sot kanë dalur në teren ekipi për ta parë sa është e dëmtuar fusha dmth i kanë dhënë sinjal rajonit bujqësor, që njerëzit t’i marrin, ti regjistrojnë sa kanë dëme material”, tha një banor.
Banorët lokal thanë se të gjitha intervenimet e kësaj natyre janë vetëm zgjidhje për pasojat, ndërsa për zgjidhjen përfundimtare dhe parandalimin e vërshimeve ata thonë se duhet të intervenohet në lumin e fshatit Gjermë prej ku tani e 40 vite vijnë vërshime pas çdo reshje të shiut. Në vërshimet e fundit janë dëmtuar disa prona private dhe tokat pjellore, por fatmirësisht nuk pati viktima. Por rreziku për vërshime me pasoja fatale mbetet edhe më tej frika më e madhe e këtyre banorëve.
Arben Zeqiri /SHENJA/
Rruga Poroj- Jazhincë ende e bllokuar… by tvshenjaofficial