Qeveria e re reformatore e Maqedonisë është seriozisht e përgatitur dhe fuqimisht e vendosur që vendi ynë të bëhet pjesë e integrimeve euroatlantike. Kështu ka thënë ministri i ri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, në takimin e ministrave të Jashtëm në kuadër të takimit të liderëve nga Procesi “Bërdo-Brioni” në Bërdo afër Kranj në Slloveni.
Ai theksoi se përforcimi i institucioneve, sundimi i së drejtës, promovimi i dialogut kulturor dhe kompromisi janë argumentet tona për integrim të shpejtë euroatlantik. Sipas tij, institucionet e pavarura dhe të fuqishme janë boshti i stabilitetit të vendit.
“Detyra jonë është që të punojmë në transformimin cilësor të shoqërisë sonë, në sigurimin e qeverisjes të përgjegjshme dhe institucioneve të pavarura. Qëllimi ynë është që të ndërtojmë një demokraci moderne dhe evropiane, ndërsa BE-ja në mënyrë adekuate të valorizojë reformat në këtë rrugë. Anëtarësimi në BE dhe në NATO është prioriteti ynë kryesor strategjik”, ka thënë Nikolla Dimitrov, ministër i Punëve të Jashtme.
Delegacioni i Maqedonisë në këtë vend kryesohej nga presidenti Gjorge Ivanov, ndërsa përkundër presidentëve dhe ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Proces, merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë të vendeve anëtare të BE-së. I ftuar special sivjet në takim ishte presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Ualter Shtajnmaer.
Në margjinat e takimit shefi i diplomacisë të Maqedonisë zhvilloi takime bilaterale me kolegët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Erjavec dhe Shtir, siç njoftoi MPJ, në takime u shpreh përkrahje për aspiratat euroatlantike dhe prioriteteve reformuese të Maqedonisë.
Ministri Dimitrov theksoi se shtetet anëtare të BE-së duhet që të përdorin momentin në Maqedoni si mundësi për revitalizim dhe përforcim të perspektivave evropiane në rajon, të domosdoshëm, për një stabilizim dhe zhvillim afatgjatë.
Enis Murtezi /SHENJA/