Objekti i Teatrit Shqiptar në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ende është në fazën e rindërtimit. Dhe siç duket as këtë vit aktorët e këtij teatri nuk do mund t’i kthehen ‘shtëpisë’ së vet.
Sipas Anita Latifit, e angazhuar në departamentin për marrëdhënie me opinionin në Teatrin Shqiptar të Shkupit, mospasje e kushteve për pune, pamundëson realizimin e programit vjetor të këtij institucioni.
Gjatë kësaj periudhe, thotë Latifi, repertorin e vet aktorët e këtij teatri e realizojnë duke huazuar sallat e teatrove tjerë në qytet, si ai I komedisë, I fëmijëve dhe teatri popullor
Më poshtë mund ta lexoni bisedën e plotë me Anita Latifin, ku do të njoftoheni me problemet me të cilat përballen aktorët e Teatrit Shqiptar në Shkup, si dhe me parashikimet për të ardhmen e këtij teatri.
Almakos: Sa kohe ka kaluar qe nuk është funksional objekti i Teatrit Shqiptar?
A. Latifi: Realisht objekti i Teatrit ishte aq i amortizuar sa që në 15 vitet e fundit nuk plotësonte standardet për punë, apo ishte gjysmëfunkcional. Tërësisht jashtë funksionit për veprimtarinë e vet doli në momentin e fillimit të punimeve apo në prill të vitit 2014 kur u shpërngulëm nga ai.
Almakos: Kur ka filluar restaurimi i objekti dhe kur parashikohet te përfundojnë punimet?
A. Latifi: Punimet zyrtarisht filluan në vitin 2014, ndërsa i tërë procesi i rikonstruimit, adaptimit dhe sanimit të objektit ka filluar në vitin 2010. Parashikimet reale – në bazë të gjendjes aktuale në objekt – janë që ne të kthehemi në shtëpinë tonë më së voni në dhjetor të këtij viti ose eventualisht në fillim të vitit që vjen. Sidoqoftë, e gjithë kjo do të varet nga situate politike në vend, më konkretisht nga gatishmëria financiare e shtetit për të përfunduar objektin.
Almakos: Pse gjithë kjo vonese ne rindërtimin e teatrit?
A.Latifi: Procesi i rindërtimit të Teatrit nuk pati shumë fat të mbarë. Ndonëse që në nismën e tij ishim koshientë për problemet eventuale që mund të paraqiten pasi të filloj “zhveshja” e objektit, nuk mund të parashihnim problemet e tjera të cilët u paraqitën gjatë kësaj periudhe. Ndër problemet kryesore fillimisht ishin ato të aspektit ndërtimor për shkak të ndërhyrjeve të komplikuara konstruktive, si dhe ndryshimeve tëzgjidhjeve të caktuara projektuese; më vonë kishim ngecje 6 mujore për shkak të shitblerjes së kompanisë që kishte fituar garën për rindërtim; dhe ( siç jemi të gjithë dëshmitarë) kriza politike ndikoi edhe në mbarëvajtjen e rindërtimit të Teatrit.
Këtë vit e kemi filluar mbarë, me 100 milionë denarë në buxhet (që është buxheti më i lartë vjetor i akorduar deri tani për Teatrin Shqiptar), problemet më të mëdha në objekt janë mënjanuar dhe kompania ndërtimore ka terren të përshtatshëm për të punuar me intensitet maksimal. Nëse sigurohen të gjitha mjetet e nevojshme, në fund të vitit apo fillim të vitit të ardhëm, do të ju bëjmë ftesë për përurimin e objektit të rindërtuar të Teatrit Shqiptar.
Almakos: Ku i keni mbajtur provat, shfaqet apo repertor te shfaqjeve gjate gjithë kësaj periudhe?
A.Latifi: Ndonëse jemi të vendosur në Teatrin e Komedisë, pasi aty veprojnë edhe dy teatro tjera, provat dhe shfaqjet në periudhën jashtë shtëpisë amë, varësisht nga projekti, i kemi zhvilluar në: Teatrin e Komedisë, në Teatrin Popullor të Maqedonisë dhe në Qendrën Teatrore për Fëmijë. Teatrot që përmenda plotësojnë kushtet për të zhvilluar veprimtarinë tonë, por i tërë procesi i punës është shumë vështirë për shkak të repertorit të shtëpive që përmenda dhe koordinimit të ndërsjellë.
Almakos: Hasin ne vështirësi aktorët qe punojnë jashtë “shtëpisë” së tyre?
A.Latifi: Procesi i provave deri në premierë zakonisht zgjat rreth 45-60 ditë dhe në këtë periudhë cilado skenë në të cilën punojnë bëhet “shtëpi e tyre” pune. Por, atyre ju mungon vatra në të cilën do të mund të shkojnë çdo ditë, të takojnë kolegët, të këmbejnë ide dhe të kontribuojnë në avancimin artistik të shtëpisë amë. Largimi nga objekti amë detyrimisht ka dezorganizuar repertorin tonë, ka shpërndarë aktorët tanë dhe ka ndikuar në përmbushjen dhe avancimin e tyre profesional. E njëjta vlen edhe për publikun tonë.
Kthimi në shtëpinë amë do të kërkoj një betejë të fuqishme të rikuperimit të ansamblit dhe publikut njëkohësisht.
Rindërtimi filloi duke qenë të vetëdijshëm për nevojën i ngutshme për rikonstruim të teatrit dhe krijimit të kushteve dinjitoze për punë të ansamblit, stafit teknik dhe administrativ të Teatrit dhe publikut tonë. Urojmë të gjithë së shpejti të kthehemi në shtëpi!
Almakos.com