Edhe pse ky mision është qëllimkeq ndaj shqiptarëve, ai na bën shërbimin më të madh, duke na e bë të qartë se BDI-në nuk na e largon nga skena as VMRO-ja, as LSDM-ja, por se duhet ta largojmë vetë ne shqiptarët
Edhe pse shqiptarët më 11 dhjetor pastruan hesapet me BDI-në, duke votuar dyfish më tepër “kundër” se sa “për” këtë parti, subjektet maqedonase me çdo kusht po mundohen ta kthejnë në jetë këtë subjekt të tyre të preferuar.
Misionit të pamundur për ta bë BDI-në subjekt patriotik në sytë e shqiptarëve, po i prin VMRO-DPMNE-ja edhe atë me figurën e Talat Xhaferit. Stili është mjaft i tejdukshëm: Fillimisht e bllokojnë, pastaj gjoja tërhiqen. Edhe qëllimi është i qartë: të na bindin se Talati aq i fortë, sa që edhe VMRO-ja po ja lëshon udhën.
Edhe pse ky mision është qëllimkeq ndaj shqiptarëve, ai na bën shërbimin më të madh, duke na e bë të qartë se BDI-në nuk na e largon nga skena as VMRO-ja, as LSDM-ja, por se duhet ta largojmë vetë ne shqiptarët.
Gabimi i kësaj strategjie është se ajo në thelb është nënçmuese për intelegjencën e shqiptarëve. Çdokush që bën kësi lloj skenarësh, ka mendim nënçmues për shqiptarët dhe mendon se aq shpejt kemi harruar që në momentet më të vështira të cilat i kaluam gjatë këtyre viteve, Talat Xhaferi (me partinë e tij) ishin herë përkrah LSDM-së, herë përkrah VMRO-DPMNE-së, por asnjëherë me shqiptarët.
Kjo lojë e subjekteve maqedonase nuk duhet të na habisë aspak. Ajo është plotësisht e kuptueshme. Edhe ne shqiptarët do ta përkrahnin në të njëjtën mënyrë një subjekt politik maqedonas, nëse më tepër do të punonte për interesin e shqiptarëve se sa të maqedonasve. Për fat të keq, ne ende nuk po gjejmë (subjekt) të tillë, siç kanë gjetur maqedonasit.