02 May
Në Ohër mbërriti grupi i parë i 180 turistëve nga Holanda. Por, disa prej tyre për Alsat thanë që para se të vijnë në Maqedoni iu është sugjeruar që të mos udhëtojnë deri në Shkup për shkak të gjendjes së sigurisë.
Na u sugjerua të mos shkojmë për në Shkup për shkak të situatës së sigurisë, por mendoj që këtu është në rregull. Është hera e dytë që jam këtu, ishim edhe para katër viteve – tha një turist holandez.
Në Ohër dhe Strugë sipas paralajmërimeve, këtë vit priten të mbërrijnë 30 mijë holandezë, që është për 6 mijë më pak në krahasim me vitin 2010 kur Ohrin e patën vizituar 36 mijë turistë holandezë. Punëtorët turistikë pranojnë se tek operatorët e huaj turistik për momentin ekziston shqetësim për situatën në vend.
Ka interes por edhe shqetësim nga ana e tyre, por megjithatë nuk ka asnjë rekomandim që të mos udhëtohet në Maqedoni. Të gjithë janë të shqetësuar dhe mendoj që ngjarjet do të zgjidhen në afat sa më të shkurtër – tha Asim Mexhedoviq, Punonjës turistik.
Për fat të keq tre vitet e kaluara në fillim të çdo sezoni turistik ndodhin ngjarje të padëshiruara të cilat në masë të caktuar shkaktojnë anulimin e prenotimeve prej shteteve të Evropës perëndimore”, tha Nikolla Bakraçeski, Kryetar Komunës së Ohrit.
Për dallim prej Ohrit, autoritet lokale të Strugës edhe këtë vit nuk kanë marrë ftesë për pjesëmarrje në mbërritjen e grupit të parë të turistëve holandezë, edhe pse këta të fundit, pikërisht në Strugë do ta kalojnë një pjesë të pushimit të tyre.
Miki Trajkovski