Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, bashkë me anëtarët e partisë së tij, Nikolla Poposki, Nikolla Todorov, Trajko Veljanovski, Vlladimir Gjorçev dhe Aleksandar Nikollovski, është takuar me ndihmës sekretarin amerikan për Evropë dhe Euro-Azi, Hojt Brajan ji.
Në komunikatën për media të VMRO-DPMNE-së, theksohet se mes tjerash në takim është biseduar edhe për dhunën ndaj deputetëve në Kuvend më 27 prill.
“Nga ana e VMRO-DPMNE-së është potencuar se Maqedonia një periudhë të gjatë gjendet në një krizë të thellë politike dhe shumë gjëra i kanë kontribuar kësaj situate, dhe e gjithë kjo rezultoi me hyrjen në Kuvend të protestuesve. VMRO-DPMNE nuk e mbështet dhunën fizike, por në të njejtën kohë e dënon edhe dhunën politike të cilën e ka bërë LSDM-ja mbi institucionet, rregulloren, ligjet dhe Kushtetutën”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Nga partia e Gruevskit vlerësojnë se kjo shkelje që, sips tyre, ka bërë LSDM-ja, ka sjellë në tentimin ilegal për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe ky akt sipas tyre hap një mundësi të dëmshme për të ardhmen, që procedura e tillë joligjore të përsëritet në të ardhmen dhe të bëhet praktikë.
“Nga ana e VMRO-DPMNE-së është potencuar se mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të dalë nga kriza politike, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me zgjedhjet e rregullta lokale”, thuhet më tej në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.