Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj 15 personave për pjesëmarrje në turmë e cila pengon aktivitetin e zyrtarëve policor dhe pjesëmarrje në turmë e cila bën vepër penale. Në mesin e tyre janë edhe organizatorët e protestës. Siç njofton policia, vetëm pesë prej pesëmbëdhjetë personave që janë në kërkim për dhunën e së enjtjes në Kuvendjanë kapur, ndërsa njësitet policore po kërkojnë edhe dhjetë të dyshuarit e tjerë që kryesisht janë nga Shkupi. Në momentin që do të arrestohen, të dyshuarit do të nxirren para gjykatësit të procedurës paraprake dhe do të vendoset se cilat janë masat e kujdesit që duhet të shqiptohen, duke përfshirë këtu edhe mundësinë e paraburgimit. Siç mësohet deri më tani, në pranga është një shef i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim.
“Njësiti për krim të dhunshëm pranë SPB Shkup ka ngritur kallëzim penal kundër 15 personave nën dyshimin se kanë bërë veprën penale ‘pjesëmarrje në turmë që do të pengoj person zyrtarë në kryerjen e detyrës’, ‘pjesëmarrje në turmë’, dhe‘pjesëmarrje në turmë e cila do të bëj vepër penale’. Në bazë të materialeve të shqyrtuara dhe masave operative të ndërmarra është bërë identifikimi i personave të sipërpërmendur dhe pesë prej tyre janë arrestuar”, thonë nga MPB.
Prokuroria Publike nuk ka pranuar të japë detaje për personat e dyshuar, duke paralajmëruar më shumë detaje nga e hëna. Nuk konfirmuan as nuk mohuan informatat se në mesin e të dyshuarve ka edhe policë, respektivisht eprorë të policisë.
Kodi Penal, nenet 384 dhe 385 në bazë të të cilëve policia ka ngritur kallëzime penale,parashohin 3 deri në 5 vjet burg për pjesëmarrësit në turmë që pengojnë punën e policisë ndërsa për ata që marrin pjesë në turma ku shkaktohen dëme të mëdha dhe rrezikohen edhe jetët e njerëzve, dënimi fillon prej pesë vitesh për pjesëmarrësit dhe dhjetë vjet për organizatorët.