29 April
Dy ditë pas trazirave dhe hyrjes së dhunshme të protestuesve në Kuvend, situata paraqitet e qetë. Megjithatë forca të shumta policore vazhdojnë të sigurojnë objektin e institucionit më të lartë ligjvënës. Edhe qarkullimi në këtë pjesë të kryeqendrës është normalizuar.
Bogdan Ilievski nga iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët” konfirmoi se protestuesit do të pushojnë në fundjavë dhe se me aktivitete do të rikthehen nga dita e hënë. Ilievski ndër tjerash deklaroi se nuk ndjehet përgjegjës për dhunën e përdorur nga protestuesit, me arsyetimin se nuk ka pasur urdhër për një gjë të tillë.
Ne do të vazhdojmë më tutje, si të ju them, me protesta, me marshe ose nuk e di. Forma mund të ndryshojë. Megjithatë protesta dhe marshe sigurisht do të ketë. Nuk ndjehem përgjegjës, unë nuk bëra thirrje për asnjë lloj dhune e as që e thirra dikë të hyjë në Kuvend. Nuk kishte asnjë lloj urdhëri për dhunë. Edhe unë ngela i befasuar njësoj si njerëzit që ishin brenda në Kuvend – tha Bogdan Ilievski nga iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët”.
Ilievski edhe njëherë ka përsëritur kërkesën për zgjedhje të reja, në mënyrë që qytetarët të vendosin për siç u shpreh të a.q. “Platformën e Tiranës” që sipas tij, pas 10-15 vitesh do të sjell ndarjen territoriale të Maqedonisë.
Anesa Aliti