25 April
Deputetët në ditën e 18-të të seancës konstituive sërish kanë folur për gjithçka përveç se për pikën e rendit të ditës, atë të kompletimit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime. Përmbytjet e rreth dy viteve më parë në rajonin e Tetovës, kush ka bërë më shumë për tu dalë në ndihmë banorëve dhe Deklarata e Përbashkët e partive shqiptare ishin në qendër të debatit. Deputetët e VMRO – DPMNE-së përveç që kërkuan që LSDM-ja të shpalos marrëveshjen e arritur me partitë shqiptare, thanë se kriza nuk ka filluar prej dje, por rrënjët i ka që para tre viteve. Nga ana tjetër nga LSDM-ja folën për zhbllokimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Unë nuk e di si mund të hiqet frika nga elita politike maqedonase, por unë e di se një orë më parë duhet të zhbllokohet Parlamenti dhe të formohet qeveria. Duhet ta tejkaloni vetveten në interes të qytetarëve – tha Ejup Halimi, BDI.
Stërzgjatja e krizës dhe problemet nuk janë prej sot, ose nuk ka filluar prej para dy ose tre javësh, por e njëjta po vazhdon tre vite. Duke shtuar këtu materialet e përgjuara, anulimin e zgjedhjeve, njëherë nënshkruajmë për zgjedhje e pastaj rishikojmë pozitat tona, dhe presim një vit që të organizohen zgjedhjet. Mos-respektimi i dëshirës politike të qytetarëve është arsyeja kryesore për këtë krizë – tha Ilija Dimovski, VMRO DPMNE,
Unë vij nga Gjevgjelia, ku para dy ditëve kishte referendum ku qytetarët njëzëri votuan kundër hapjes së minierave. Dhe prej në Gjevgjeli fillon paralajmërimi se çfarë do ti ndodh Maqedonisë në të ardhmen – tha Sasho Pockov, LSDM.