Qytetarët ankohen se tashmë tre muaj nuk kanë marrë asistencë sociale. Në adresë të televizionit tonë arritën disa ankesa të qytetarëve që thonë se këto tre muaj me radhë, mezi kanë arritur të mbijetojnë pa të hyra materiale. Edhe pse asistenca është një shumë simbolike, atyre u mbulon të paktën nevojat për ushqim dhe higjienë.
Pyetëm Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale se cili është shkaku i vonesës, por ata mohojnë të ketë vonesa. Nga Ministria thonë se ka gjasa të ketë raste individuale të cilat mund të kenë probleme teknike të azhurnimit të të dhënave personale, por menjëherë duhet të paraqiten në qendrat për punë sociale për të alarmuar gjendjen. Ministria tha se paga e ardhshme do të bëhet prej 1 deri më 5 maj.
“Pagesa e asistencës sociale bëhet rregullisht në të njëjtën kohë, për të gjithë shfrytëzuesit, për çdo muaj. Pagesa e ardhshme do bëhet prej 1 deri më 5 maj. Në rast se tek persona të caktuar ekziston ndonjë ngecje e pagesës, atëherë të paraqiten tek qendrat për punë sociale në mënyrë që të konstatohet se a ka ndonjë problem të caktuar në mënyrë që ai problem të tejkalohet”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.
Qytetarët që u ankuan në adresë të televizionit Shenja nuk deshën që të dalin para kamerave televizive, për të denoncuar këto ngecje të pagesave mujore në formë të asistencës sociale. Ata druajnë se edhe atë pak asistencë sociale që e marrin mund ta humbin tërësisht.
Pyetëm qytetarët për gjendjen e tyre ekonomike gjatë muajve të fundit, dhe përgjigjet ishin të pashpresa.
“A keni pasur mundësi ti blini të gjitha gjërat për ushqim veshmbathje muajve të fundit.
Jo s’kemi pasur.
Përse?
S’kemi pas mundësi se ndihmën sociale na kanë ndalë. S’kemi punë, po e shihni edhe vetë. Dalim po punojmë më së shumti dy ditë ose tre në muaj.
A mjafton ndihma sociale që e marrin njerëzit?
Jo, nuk mjafton. 2 mijë denarë edhe ato ti ndalin, tani na i kanë ndalë. Faturat duhet të paguhen…”, thonë qytetarët.
Ankesa të tilla për vonesë të ndihmës sociale ka pasur edhe më herët dhe vonesat kanë qenë edhe më të gjata, por siç është bërë praktikë e pashkruar, familjeve që u vonohen pagesat ua lëshojnë pas disa mujash të gjitha pagat e ngecura. E kjo praktikë e bën të pamundur planifikimin e buxhetit familjar.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/
Qytetarët ankohen për vonesa të asistencës sociale by tvshenjaofficial