21 April
Nën temperatura të ulëta, prindërit dhe fëmijët me nevoja të posaçme për të dytën ditë me radhë qëndrojnë në tendat e vendosura përball Kuvendit të Maqedonisë duke kërkuar që shteti të mundësojë kushte më të mira për to. Disa nga prindërit e këtyre fëmijëve u thirrën në takim nga disa deputetë të VMRO-së, ku këta të fundit u kanë premtuar se do gjejnë zgjidhje për problemet e tyre, por prindërit nuk shprehen gjithaq optimist se kërkesat e tyre do gjejnë zbatim.
“U dhanë premtime se ja do zgjidhen disa çështje, se nga e hëna do ketë disa hapa konkret por ngelet të shohim më tej se çfarë do ndodhë. Do qëndrojmë edhe sonte në tenda, sepse shpresojmë që këtë herë do ketë hapa konkret drejt zgjidhjes së problemit tonë”, tha Suzana Stojanovska, prind i fëmijës me nevoja të posaçme.
“Njëra nga çështjet që dua ta theksoj është ideja që kishte përfaqësuesi i grupit punues të deputetëve që patëm takim Sashe Vasilevski, se duhet në disa ministri të caktuara të krijohet një sektor i cili në të ardhmen konkretisht do ti mbledh të gjitha kërkesat,dhe do t’i monitoroj të gjitha kompetencat e secilit institucion për nevojat e këtyre fëmijëve”, tha Aleksandar Petrovski, “ Shoqata Rast”.
Ish ministrja e Punës dhe Politikës Sociale nga radhët e LSDM-së Frosina Remenski premtoi se në gjashtë mujorin e parë të punës së Qeverisë së re, këta probleme do të eliminohen.
“Rritje për 50% të kompensimit për mbrojtjen e të drejtave të këtyre personave, ndryshim të ligjit, formim të qendrave specifike për autizëm, të sindromit down dhe reformim të tërësishëm të qendrave ditore që funksionojnë për momentin për personat me aftësi të veçanta”, tha Frosina Remenski, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Një grup organizatash jo qeveritare kanë ngritur iniciativë për grumbullimin e 10.000 nënshkrimeve, përmes të cilave besojnë që do arrihen ndryshimet ligjore të cilat do ofronin kushte më të mira për këtë kategori të njerëzve përfshirë kuadër arsimtarësh nëpër shkolla për këta fëmijë, të ketë më shumë qendra ditore për qëndrimin e tyre, ndihmë shtetërore për shërimin e tyre etj.
Vjollca Aliti