Sindikatalistët kanë paraqitur kallëzim penal ndaj drejtorit të përgjithshëm të Ndërmarrjes Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim”- Shkup, Aleksandar Atanasov, të cilin e akuzojnë se nuk ka përgatitje shkollore për ta ushtruar këtë post.
Drejtuesi i sindiklistëve, Darko Dimovski, ka thënë se Atanasov nuk ka diplomë të pranuar dhe të certifikuar nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, dhe e njëjta nuk është valide. Sipas Dimovskit, në një situatë të tillë ai nuk mund të kryejë detyrën të cilën e ushtron aktualisht.
“Ne nëpërmjet zyrës së avokatëve Davidoviç, kemi paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Publike. Një kallëzim penal për mashtrim, sepse zotëri Atanasovi edhe pse e din se diploma e tij nuk është valide, të njejtën nuk e lajmëron tek Qyteti i Shkupit, dhe edhe më tej e kryen funksionin e drejtorit të përgjithshëm”, ka thënë Darko Dimovski, drejtues i sindikalistëve.
Ai njoftoi se inspektorët e punës, kanë vizituar hapësirat e ndërmarrjes publike “Ujësjellës dhe Kanalizim”, duke kërkuar kështu që ta marrin diplomën e drejtorit, ndërkaq të njëjtën nuk kanë mundur ta marrin.
“Dje në Ndërmarrjen Ujësjellës dhe kanalizim, është futur një ekip i inspektorëve të punës, ku kanë kërkuar diplomën e drejtorit Aleksandar Atanasov. Ai u ka thënë se do ta sjell, dhe më pas për fat të mirë ose të keq, i njëjti nuk është larguar nga hapësirat e Ndërmarrjes. Që do të thotë se diplomën e njejtë nuk ua ka dhënë inspektorëve”, tha më tej ai.
Dimovski tha se momentalisht presin që të shohin se cili prokuror publik do të përcaktohet për këtë rast. Ndërkaq, shtoi se duhet që drejtori i kësaj ndërmarrjeje të zëvendësohet me një tjetër ushtrues detyre ose të bëhet shpallje për drejtor të ri.