Gjithsej 21 persona do të përgjigjen në gjykatë mbi subjektin e Speciales i njohur për publikun si “Transportuesi”. Të gjithë të dyshuarit ngarkohen me veprën penale Shpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare në organizimin e transportit të nxënësve në komunën e Manastirit.
Kodi Penal neni 353, paragrafi 5
Nëse vepra është bërë gjatë kryerjes së prokurimeve publike ose në dëm të fondeve të Buxhetit të Maqedonisë, nga fondet publike apo mjete tjera të shtetit, kryerësi do të dënohet me burgim së paku pesë vjet.
Disa nga të pandehurit, duke përfshirë jozyrtarisht edhe kryetarin e Manastirit, Vlladimir Taleski, akuzohen se kanë qenë bashkë-kryerës në veprën penale, por edhe se kanë kryer vepër të vazhduar penale. Të tjerët, janë akuzuar se ishin vetëm ndihmës ose vetëm bashkë-kryerës së veprës. Ndërkohë një person i cili ishte nën hetim vitin e kaluar ka vdekur. Sipas Speciales, grupi përmes abuzimeve, ka fituar përfitime në pronë në vlerë prej 290,000 eurove. Kjo shumë është më e vogël nga dyshimi fillestar, sepse kur Specialja e hapi hetimin para një viti, kanë vlerësuar se dëmi në buxhet ishte 360 mijë euro.
Alsat M ka kërkuar qëndrim për aktakuzën nga një pjesë e avokatëve të të pandehurve. Deri më tani, ata u përmbajtën nga deklarimi, për shkak se disa prej tyre nuk e kanë marrë ende aktakuzën. Të paktën deri në këtë moment, është e paqartë nëse të pandehurit do të kërkojnë vlerësim të aktakuzës. Prandaj është tepër herët të parashikohet se kur së shpejti mund të pritet seancë e parë gjyqësore për rastin.