20 April
Gjenerata e sivjetme e nxënësve të shkollave të mesme katër vjeçare konfirmon se pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë nivel shkollimi është mbi 30 për qind në nivel të gjitha shkollave të Maqedonisë, shkruan gazeta KOHA.
Konkretisht, në bazë të atyre që kanë paraqitur provimet e maturës për vitin shkollor 2016/2017, gjimnazin dhe arsimin e mesëm profesional katërvjeçar, në muajin qershor pritet ta përfundojnë mbi 16 mijë nxënës. Prej tyre, të paktën 5120 maturantë ose 31.6 për qind janë shqiptarë, respektivisht nxënës që përfundojnë shkollën e mesme në paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Ndërkaq, nxënës që janë evidentuar si maturantë të cilët përfundojnë shkollën e mesme katërvjeçare në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase janë 10632 të tillë ose 65.7 për qind, kurse në gjuhën turke 418. Përqindja e lartë mbi 65 % e nxënësve në paralelet maqedonase nuk e reflekton plotësisht përqindjen reale të ndarjeve sipas përkatësisë etnike pasi paraqitja e provimeve të para të gjuhës dhe letërsisë për provimet e maturës shtetërore nuk bëhet në bazë të gjuhës amtare por sipas gjuhës në të cilën funksionon paralelja. Sipas kësaj në mesin e 10632 nxënësve të paraleleve maqedonase, krahas maqedonasve ka jo vetëm serb, vlleh, boshnjak por edhe turq e shqiptar.