Këshilli i Prokurorëve Publik vazhdon të mbajë peng kërkesat e Prokurorisë Speciale Publike. Ekipi i Katica Janevas që nga 4 nëntori i vitit të kaluar, kërkon që lënda “Sopoti” të kalojë në duart e tyre, por kreu i Këshillit Petar Anevski nuk fton mbledhjen në të cilën duhet të vendoset nëse lënda do t’i takojë speciales ose jo.
Këshilli i Prokurorëve Publik me 11 anëtarët sa posedon, për momentin është duke pritur ndryshimet në ekzekutiv. Jo zyrtarisht mësohet se shumica janë kundër kërkesës së Janevës ndërsa anëtarët që janë pro kërkesës së Speciales në këtë këshill, mund të mbivotohen nga kolegët e tyre. Alsat tentoi të marr qëndrimin e kreut të Këshillit Petar Anevski, por ky i fundit ishte i pakapshëm për prononcim.
Një pengesë shtesë e PSP-së për procedimin e rastit “Sopoti” përbën edhe mos miratimi i ndryshimeve në Ligjin për dëshmitarë. Nga ana tjetër seancat gjyqësore janë lënë në harresë, ndërsa së fundi është ndryshuar edhe gjykatësi i lëndës. Avokatët kishin deklaruar se janë në bashkëpunim e sipër me PSP-në dhe se procedura para hetimore mund të finalizohet vetëm pasi Specialja të marr dritën jeshile nga Këshilli i Prokurorëve Publik. Mbrojtja vazhdon të mbetet në qëndrimin se në të ardhmen nuk përjashtohet mundësia e bojkotimit të seancave gjyqësore. Kërkesën për të marr lëndën “Sopoti” Specialja e bazon në audio inicimet që i posedon si dhe duke iu referuar ligjit për Prokurorinë Speciale.
Ndërkohë edhe pas një muaji që kur Specialja ka publikuar raportin e punës gjashtëmujore, Këshilli i Prokurorëve Publik ende nuk e ka thirrur seancë për shqyrtim. Në seancën në fjalë, Katica Janeva para Këshillit duhet të mbrojë dhe arsyetojë raportin e punës saj. Ndonëse ishte paraparë që një seancë e tillë të mbahet pas festave, Alsat mëson se e njëjta ende nuk është thirrur. Këtë e konfirmuan edhe nga Prokuroria Speciale Publike nga ku thanë shkurt se Katica Janeva nuk ka pranuar ftesë nga Këshilli i Prokurorëve Publik në lidhje me raportin e fundit gjashtë mujorë.
Më 15 mars PSP raportin e saj e dorëzoi në Këshillin e Prokurorëve Publik por edhe në Kuvend. Megjithatë, në mungesë të trupave parlamentarë raporti nuk arriti të debatohet në Komisionin për sisteme politike.
Në raportin që PSP publikoi në mars, konstatohet se në gjashtë muajt e fundit Specialja ka arritur të analizojë 45 për qind nga totali i bisedave të përgjuara të cilat arrijnë mbi 606 mijë biseda. Për gjashtë muaj PSP-ja ka iniciuar 14 procedura para-hetimore, ndërsa deri më tani si të dyshuar në lëndët e Speciales që nga fillimi i punës së saj janë 112 persona për 160 vepra penale.
Adrian Kerimi