19 April
Drejtuesi i makinës që shtypi për vdekje të miturën Senija Lutfiu një ditë më parë në lagjen Çariçankë, është ndaluar në Stacionin policor në Bit Pazar dhe pritet të nxirret para gjykatësit përgjegjës. Kështu kumtuan nga ministria e Brendshme pas hetimeve të bëra.
“Personi B.D nga Shkupi më 19 prill 2017 do të nxirret para gjykatësit përgjegjës. Lidhur me ngjarjen, një zyrtar policor ka përfunduar me lëndime gjatë ndërmarrjes së veprimeve zyrtare, respektivisht gjatë tentimit për të ndaluar prishjen e rendit publik ka rrëshqitur dhe është lënduar. Ai është dërguar në Spitalin e Qytetit”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Ky është vendi ku gjatë ditës së djeshme një veturë e tipit Mercedes ka shtypur për vdekje vogëlushen katër vjeçare nga lagja Çairçanka. Siç kanë thënë familjarët vogëlushja ka ndërruar jetë gjatë orëve të vona të mbrëmjes, në Spitalin e Qytetit”.
Sipas banorëve të lagjes Çairçanka, përveç shoferëve të pandërgjegjshëm aksidentet e shumta në këtë zonë ndodhin edhe për shkak të moskujdesit të Komunës së Çairit e cila nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ti parandaluar ato.
“Shoferët duhet të kenë më shumë kujdes sepse këtu është vendi që lëvizin shumë makina dhe njerëz”.
“Shoferët janë fajtorë”.
“Njerëzit aspak nuk janë të sigurt në këtë rrugë “Jahja Pasha” këtu nuk ka siguri. Këtu nuk ka askund vizë bardha ku fëmijët të kalojnë. Duhet të merren masa për këtë gjë edhe Komuna edhe Policia, që të mos parkohen kështu veturat nëpër rrugë”.
“Njerëzit janë të pa disiplinuar në komunikacion në përgjithësi, gjithmonë mendojnë të fitojnë kohë pa menduar se rrezikojnë jetën e dikujt por edhe të tyren. Kultura në përgjithësi në komunikacion nuk është ajo që duhet, nuk është në nivel. Në këtë lagje çdo kush duhet të jetë i kujdesshëm sepse këtu lëvizja është shumë e madhe”.
“Si pikë e parë vozitësit janë fajtorë që janë të pakujdesshëm, por ka faj edhe prindi se fëmija 4 vjeç të del në rrugë kryesore, dikush duhet të kujdeset për të. Kjo rruga është më e ngarkuara nga të gjitha, as populli s’ka faj, por edhe veturat s’kanë faj, se fëmija nuk e sheh se ka vetura”.
Sipas dëshmitarëve okularë, gjatë pas ditës së djeshme vogëlushja është shtypur me makinën teksa vraponte në rrugën kryesore për të marrë topin. Pas goditjes nga makina katër vjeçarja është dërguar në Spitalin e Qytetit por si pasojë e lëndimeve serioze ajo nuk mbijetoi.
Vjollca Aliti