19 April
VMRO-DPMNE-ja reagon ashpër kundër deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i cili ditë më parë për mediat në Shqipëri deklaroi se Nikolla Gruevski ka pranuar Platformën e Tiranës dhe atë pa asnjë kusht. Nga partia e Nikolla Gruevskit thonë se VMRO-DPMNE as që ka negociuar për platformën në fjalë, duke shtuar se Rama po tenton të relativizojë rrezikun e kësaj platforme në Maqedoni.
Edi Rama përveç që ndërhyn në punë e brendshme të Maqedonisë, së fundi edhe me deklaratat e tij për bashkim të shteteve të Ballkanit nxit destabilizim edhe më të madh në Ballkan si dhe i rikthen idetë për shtete të mëdha, ide këto të cilat janë në kundërshtim me perspektiven Evropiane. Edi Rama është njeriu i cili pa turp me deklaratat e tij i fyen maqedonasit si sllavo maqedonas. Edi Rama është njeriu i cili në vazhdimësi nxit pasione duke deklaruar se janë 35% shqiptar si dhe duke cenuar karakterin multietnik të shtetit – thanë nga VMRO-DPMNE.
Ditë më parë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se Nikolla Gruevski, partia e tij dhe presidenti Gjorge Ivanov janë duke luajtur politikisht me shqiptarët dhe duke shfrytëzuar durimin e tyre për ndasi etnike mes maqedonasve dhe shqiptarëve.
E vërteta është që Gruevski dhe partia e tij janë marrë vesh pa vënë kushte për platformën e Tiranës. Kur nuk është realizuar pajtueshmëria, për shkaqe që Gruevski i di shumë mirë, atëherë është hedhur mbi platformën e Tiranës, që s’është e Tiranës fare. Por çdo gjë ka një kufi dhe boll kjo lojë me shqiptarët dhe boll kjo lojë me të a.q. Platformë të Tiranës, sepse nuk mund të luash politikisht për të goditur kundërshtarin e të njëjtës etni, duke futur ndasi me etninë tjetër. Kjo është shumë e rrezikshme. Unë jam shumë i shqetësuar për këtë – deklaroi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Kryeministri Rama së fundi disa herë ka qenë në shënjestër të kritikave të partisë së Nikolla Gruevskit, Presidentit Ivanov dhe protestuesve për “Maqedoni të përbashkët”, të cilët fajësojnë atë si hartues dhe imponues i deklaratës së përbashkët të partive shqiptare. Kryeministri Rama dhe Qeveria shqiptare kanë paralajmëruar disa herë se nuk do të tërhiqen nga e drejta e tyre Kushtetuese e cila obligon cilën do qeveri në Shqipëri të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë.
Adrian Kerimi