Shefi i delegacionit të BË-së në Shkup, Samuel Zhbogar, ka bërë thirrje edhe njëherë që të zgjidhet kriza politike në vend. Zhbogar gjatë vizitës së sotme në komunën Negotinë në kuadër të fushatës “BE për ty”, ka deklaruar se është e domosdoshme unitetit për formimin e institucioneve në vendin dhe se tani është koha e duhur për të bërë këtë.
“Çdoherë ekziston kohë e duhur për shumë çështje. Ka pasur kohë kur u caktuan zgjedhjet dhe kohë e cila u nda për diskutime dhe debate pas zgjedhjeve. Mendoj se tani është koha që të vendoset nevoja për formimin e institucioneve”, ka thënë Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së në Shkup, raporton SHENJA.
Zhbogar ka thënë se ka ardhur koha kur të gjithë në vend duhet ta mësojnë leksionin që është koha që të formohet unitet dhe të gjithë të jenë të bashkuar për të njëjtin qëllim.
“Ka ardhur koha vendi të ec përpara, të formohen institucionet shtetërore, të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të formohet Qeveria. Mendoj se ka ardhur koha që edhe pushteti edhe opozita, ashtu si edhe të gjithë njerëzit në vendin tuaj të fillojnë më shumë të dëgjohen me njëri tjetrin që të jenë të unifikuar”, ka shtuar Zhbogar.
Ai ka shtuar se kjo është shumë e rëndësishme për ardhmërinë e vendit tuaj dhe për procesin e eurointegrimeve për të cilin, siç është shprehur ai, të gjithë janë të interesuar të vazhdoj.