Jeta në pjesën shqiptare të metropolës së Maqedonisë, në “Shkupin e vjetër” siç lakmon ta emërojë Ali Ahmeti dhe nënkryetari i tij, njëherit edhe kryetar i Çairit tanimë 12 vite, Izet Mexhiti, mund të përshkruhet vetëm nga vetë banorët e kësaj komune, shkruan Fakte. Me rreth 65 mijë banorë (statistikë zyrtare nga regjistrimi i vitit 2002) të koncentruar në 3.5km2, ose me rreth 18 mijë banorë në një kilometër katrorë, Çairi mund të “lavdërohet” se është komuna më e dendur në Evropë. Injejti është një konglomerat i kulturave të ndryshme, kultura të sjellura me migrimet e shumta fshat-qytet nga anë të ndryshme të vendit.
Vrasja e Senijes trevjeçare dje, në arterien kryesore të qarkullimit në komunën e Çairit, rrugën Cvetan Dimov mes lagjeve Gazi Babë dhe Serovë, është alarmi i fundit se “ligji i xhungllës” në këtë komuna me të madhe po merr haraçin. Edhe ate, po e mer në formën më bizare të mundshme, duke i marrë më të vegjlit dhe njëkohësisht më të dashurit tanë. Jo se vrasja e Senijes është është aksidenti i parë në Çair me pasojë vdekjen e fëmijës, por bilanci dhe “fatura” që qytetarët e Çairit po paguajnë ndaj “ligjit të xhungllës” po bëhet i papërballueshëm.
Për lexuesit që nuk janë të njohur me përditshmërinë në Çair, mund të ceken vetëm disa gjëra. Në Çair nuk funksionin ligji, pasi vetë policët e komunikacionit thyejnë të njejtin në kontinuitet, që nga shkelja e vijave të plota, kalim në të kuqe etj. Vjedhjet, vrasjet dhe plaçkitjet, si dhe veprat tjera kriminale as që paraqiten më në polici, pasi të njejtat ndodhin në kontinuitet në Çair dhe asnjëherë (ose ekstremisht rrallë) nuk zbardhen. Komuna është shndërruar në një “ghetto” urbane, me mbindërtime të egra që nuk plotësojnë asnjë kusht urbanistik. Në tërë komunën nuk ka asnjë parking! Nuk ka asnjë trotuar (të lirë për të lëvizur), e të mos flasim për korsi për bicikletë. Pastërtia është në nivelin më të ulët të mundur. Në pjesën më të madhe të rrugëve dhe hapësirave tjera publike tanimë 12 vite (që kur komuna udhëhiqet nga shqiptarët) nuk ka kaluar fshesa për të pastruar bërllogun dhe pluhurin. Gropa dhe kanale të hapura, gjoja për ndonjë intervenim në rrjetet nëntokësore, kanë shkatërruar rrugët dhe kanë pamundësuar kalimin mbi to, presin periudha parazgjedhore për t’u mbuluar, në tentim të vjeljes së ndonjë vote.
Me një fjali: Të jetosh në Çair është rrezik për jetën! Pse Ministri për punë të brendshme dhe Kryetari i komunës, që të shqiptarë, nuk mbajnë asnjë lloj përgjegjësie për këtë?!