Presidenti i Republikës së Hungarisë Janos Ader u takua sot në Zagreb me presidenten kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq. Ata biseduan për politikat e migracionit dhe ranë dakord se e ashtuquajtura ‘rruga ballkanike’ duhet të mbetet e mbyllur, ndërsa kanë biseduar edhe rreth çështjetve të pazgjidhura midis dy vendeve si çështjet kufitare dhe INA-MOL, raporton AA.
Grabar-Kitaroviq konstatoi se marrëdhëniet kroato-hungareze në vitet e fundit janë ngarkuar me çështje të hapura, edhe pse, siç tha, Hungaria ka ndihmuar Kroacinë që nga pavarësia e saj, në luftën e saj dhe anëtarësimin në BE dhe NATO.
Ajo theksoi se çështjet e hapura kanë të bëjnë me çështjen INA-MOL, në fushën e energjisë, bashkëpunimin kufitar dhe kalimin e kufirit shtetëror dhe shprehu shpresën se një pjesë e madhe e këtyre çështjeve do të zgjidhen me mbështetjen hungareze për hyrjen e Kroacisë në zonën Shengen.
Presidentja kroate theksoi edhe problemin e gardhit me tel në kufi, të cilin e cilësoi si produkt i rrethanave fatkeqe të politikës së migrimit dhe mosmarrëveshjeve mes dy vendeve dhe BE-së si tërësi.
“U dakorduam se e ashtuquajtura ‘Rruga ballkanike’ e refugjatëve të mbetet e mbyllur dhe në këtë drejtim të vazhdojmë bisedimet me Turqinë dhe se duhet mbrojtur kufijtë e jashtëm të BE-së”, deklaroi Grabar-Kitaroviq pas takimit. Ajo shtoi se kontrollet në kufijtë e jashtëm do të eliminojnë nevojën për kontrollet e brendshme kufitare të BE-së, posaçërisht ato në kufirin kroato-hungarez.
“Hungaria ka një pozicion të qartë mbi migracionin. Kufijtë e jashtëm të BE-së duhet të mbrohen, emigrantët e paligjshëm nuk duhet të hyjnë në Evropë, kurse ata që vijnë me arsye, duhet të lejohen të presin në stacionet e jashtme të pritjes deri sa të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil”, u shpreh Ader.
Presidenti hungarez potencoi nevojën e ndërtimit të vendkalimeve të reja kufitare, pasi që në mes të këtyre aktual është një distancë e madhe, mesatarisht 50 kilometra.
Presidentët gjatë darkës së përbashkët në detaje do të shqyrtojnë direktivën e BE-së për kontrolle në kufijtë e brendshëm të BE-së, për të cilat Kroacia për shkak të radhëve të gjata në kalimet kufitare ka kërkuar pezullimin.
Hungaria është investitori i pestë në Kroaci.