Një pjesë e shitësve të Bit Pazarit janë përballur me një problem të papritur, kur kanë kuptuar se një pjesë e Bit Pazarit tanimë nuk është pronë e ndërmarrjes aksionare “Skopski Pazar”. Për realizimin e kësaj shitjeje, nuk janë konsultuar fare shitësit, të cilët thonë se ata edhe vetë mund ta kishin blerë këtë pronë, në të cilën punojnë me dekada të tëra. Nga ndërmarrja aksionare “Skopski Pazar”, na udhëzuan që t’u drejtohemi në formë të shkruar, por akoma nuk kemi marrë përgjigje për pyetjet tona. Këtë ndërmarrje e pyetëm se kur e kanë bërë shitjen e një pjese të Bit Pazarit dhe kush është pronari i ri, si dhe cila është praktika e deritanishme e shitjes së pronave, pasi shitësit thonë se ata duhej të ishin të informuar dhe fillimisht atyre u është dashur që t’u bëhet ofertë për blerjen e pronës.
Nga ana tjetër, kryetari i shoqatës së tregtarëve, Ekrem Dolek, thotë se nuk ka marrë asnjë sqarim nga ndërmarrja “Skopski Pazar”, por vetëm u është thënë që të merren me pronarin e ri. Ai shpreson se megjithatë, do të arrijnë që të gjejnë një zgjidhje në mënyrë të qetë.
“Jemi në bisedime me pronarin i cili e ka blerë, është pronari i ri i kësaj parcele. Ne shpresojmë se do ta gjejmë një zgjidhje të përbashkët, fundja nëse shkon në aspektin kombëtar të dy palët jemi shqptarë dhe besoj që do t’ia arrijmë një qëllimi të përbashkët që kjo situatë të zgjidhet në mënyrë sa më të qetë, sepse ndryshe pazarxhinjtë nuk e kanë ndërmend të lëshojnë pe sepse aty e kanë lënë shëndetin”, tha Dolek.
Pronari i ri, Ali Qaili, thotë se qëllimi i tij është që të bëjë modernizimin e kësaj pjese të tregut dhe mundësimi i kushteve më të mira për shitësit.
“Qëllimi im është që t’iu bëjmë kushte më të mira, ta mbulojmë pazarin, të bëjmë kanalizim më të mirë dhe atë hapësirë ta bëjmë pronë sa më pozitive. Por ne besojmë që do të mirremi vesh sepse neve punojmë për të mirën e atyre që t’iu ofrojmë kushte më të mira”, tha Qaili.
Punët për rindërtimin e kësaj pjese të Bit Pazarit kanë filluar pa njoftimin e shitësve, të cilët kanë bllokuar punimet deri në arritjen e një marrëveshjeje. Ata thotë se nuk do të lëshojnë pe në kërkesat e tyre.
“Punimet kanë nis, ne i kemi ndaluar vetë personalisht, dhe s’do të ketë punime derisa të mirremi vesh ne mes vete”, tha njëri prej shitësve.
“Zgjidhje në nuk shohim. Kështu si jemi nuk duam asgjë të na rregullojnë. Boll më qe 15 vjetë jam këtu në Bit Pazar, këtu jam djeg, jam ftoh edhe ende dua të rri kështu, s’dua askush ta rregullojë”, tha një shitës tjetër.
Të gjitha detajet në lidhje me këtë rast, do të mund t’i ndiqni edhe në emisionin EKONOMIKS, duke filluar nga ora 21:20.
Abdulla Berisha /SHENJA/
Shitet një pjesë e ‘Bit Pazarit’ by tvshenjaofficial