09 April
Qendra e sportit Boris Trajkovski e cila është në pronësi të shtetit, të premten shpalli tender për furnizim të pazakontë. Kërkon oferta për sigurim menaxherial të jetës për drejtorin, Zllatko Perinski, edhe atë në vlerë prej 5 mijë euro në vit. Me fjalë tjera, nga paratë e të gjithë qytetarëve, një drejtor i një kompanie shtetërore sigurohet personalisht, për shumë që është më e lartë se rroga vjetore neto në Maqedoni.
Pasi zakonisht, të punësuarit ne vend sigurohen në rreth 100 denarë në muaj, i pyetëm kompetentët në Boris Trajokovski- nëse edhe personat tjerë udhëheqës apo të punësuarit atje sigurohen me shuma të larta në llogari të shtetit, por përgjigje nuk morëm.
Sipas dokumentacionit të tenderit, thuajse e sigurt është se sigurimi prej disa mijë euro i takon vetëm drejtorit. Ai ka të ashtuquajtur marrëveshje menaxheriale, që do të thotë se lartësia e rrogës dhe benefiteve nuk janë të saktësuara me ligj. Në aspektin formal-juridik, sipas profesorit Marko Andonov, kjo praktikë lejohet nëse kështu janë marrë vesh drejtori dhe qeveria.
Nuk ka ndonjë formë të ashpër, nuk ka ndonjë model për këto marrëveshje. Kështu që ekziston liri e gjerë në kontraktimin dhe të dyja palët janë tërësisht të lira në rregullimin e marrëdhënieve përfshirë këtu, siç thashë, edhe pakon e benefiteve – tha Marko Andonov, profesor Universitarë.
Drejtori i sallës Boris Trajkovski nuk është i vetmi që ka marrëveshje menaxheriale, edhe pse vetëm ai publikisht ka shpallur tender për një pjesë të benefiteve që i ka kontraktuar. Kështu që, ne pyetëm në qeveri, për sa drejtorë dhe çfarë shuma paguajnë qytetarët, por edhe prej atje nuk morëm përgjigje. Se kompetentët nuk duan të flasin për këtë temë, dëshmojnë disa përpjekje të gazetarëve të zbulohet rroga e disa prej drejtorëve të kompanive shtetërore. Edhe pse çdo gjë është nga paratë e shtetit, institucionet nuk japin të dhëna. Atëherë shtrohet pyetja, nëse duhet në përgjithësi të ketë marrëveshje menaxheriale te personat juridik të themeluara nga shteti? Andonov thotë po, por duhet të mbahet llogari.
Kuptohet, patjetër duhet të kihet parasysh gjendja momentale e institucionit ose kompanisë e cila e lidhë kontratën, gjegjësisht ajo duhet të ketë mundësi që t’i jep drejtorit ndonjë pako të caktuar të benefiteve. Kjo para së gjithash varet edhe nga rezultatet që do t’i tregojë drejtori, dhe kjo është fakt shumë i rëndësishëm që duhet të theksohet. Do të thotë, patjetër të ketë një baraspeshë të tillë mes rezultateve që do t’i arrinte drejtori dhe mundësisë reale financiare të institucionit ose kompanisë mes të cilëve është lidhur kontrata – tha Marko Andonov, profesor Universitarë.
Llogaritë përfundimtare të sallës Boris Trajkovski thonë se kjo kompani punon me humbje. Në vitin 2015 ka pasur humbje prej 440 mijë euro. Por, edhe kjo është një përmirësim, pasi në vitin 2014, kjo Qendër sportive ka shpenzuar 680 mijë euro më shumë sesa ka fituar.
Alsat-M