Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë drejtuar mbrëmë kritika të ashpra për situatën politike në Maqedoni. Gjatë sesionit plenar të PE-së, eurodeputët kanë vlerësuar njëzëri se kriza politike e cila po zgjat dy vjet është shumë serioze, se vendi ka humbur shumë kohë dhe nuk është shënuar progres në rrugën e eurointegrimeve. Euredeputetët thanë se kriza gjithnjë e më e thellë rrezikon perspektivën evropiane të vendit. Po ashtu, janë adresuar kritika edhe ndaj presidentit Ivanov, të cilin e kanë quajtur si faktor që po bllokon procesin e zgjidhjes së krizës. Eurokomesari për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim, Neven Mimica, tha se situata shumë shqetësuese dhe më shumë se kurdoherë, duhet të vazhdojnë të flasin me një zë.
“Ne të gjithë jemi thellë të shqetësuar për zhvillimet e fundit dhe refuzimin e vazhdueshëm të presidentit Ivanov që të jap mandatin koalicion i cili dukshëm është i mbështetur nga shumica parlamentare. Ne po ashtu jemi seriozisht të shqetësuar për shfaqjen e retorikës nxitëse ndëretnike nga disa aktorë. Një retorikë e tillë do të thotë të luash me zjarrin. Ajo mund të ketë implikim të gjërë rajonal dhe për këtë arsye, ndërpriteni menjëherë”, ka thënë Neven Nimica, Eurokomesar për bashkëpunim ndërkombëtar.
Kritika të ashpra kanë adresuar edhe eurodeputët Ivo Vajgëll dhe Eduard Kukan. Ky i fundit tha se në Maqedoni momentalisht nuk funksionon demokracia. Ndërsa, raportuesi për Maqedoninë Ivo Vajgëll, tha se bllokimi i punës së Kuvendit dhe formimit të Qeverisë ndodh për shkak të obstruksioneve sistemore dhe presidentit Ivanov.
“Personalisht presim të vijë fundi i krizës, se Qeveria do të formohet dhe se ripërtërihet funksionimi normal i Kuvendit”, është shprehur Ivo Vajgëll, Eurodeputet.
“Unë me të vërtetë do të doja të shohë dritë në fund të tunelit, demokracia në Maqedoni është akoma politikisht e paralizuar dhe viktima janë qytetarët e vendit. Më lejoni që të shprehem qartë: është në interesin tonë shumë të lartë që të shohim një Maqedoni të fortë dhe demokratike që ecë drejtë rrugës së BE-së”, është shprehur Eduard Kukan, Eurodeputet.
Ndërkohë, eurodeputeti, Knut Flekenshtajn tha se është situatë e keqe që vendi të mbahet peng pasi që nuk janë realizuar pritjet e një partie për të qëndruar në pushtet.
“Pjesa më e madhe e vendit mendon se demokracia funksionon vetëm nëse fitojnë dhe këtë e mendojnë edhe shumica e atyre që gjatë këtyre ditëve dalin në rrugë”, ka thënë Knut Flekenshtajn, Eurodeputet.
Përfaqësuesi i Këshillit të BE-së, Jan Borg, nga ana tjetër, deklaroi se Maqedonia vuan nga polarizimi dhe kultura e ndarjeve, ndërsa mangësi sistemore janë regjistruar në sistemin gjyqësor, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër korrupsionit.
Anëtarët e PE-së kanë porositur se kriza duhet të zgjidhet dhe se nevojitet formim sa më i shpejtë i Qeverisë, ndërsa ky proces sipas tyre, është në duart e presidentit dhe liderëve politik në vend.