Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev pas seancës së sotme për rastin “Mitmarrja”, tha se ata kanë kërkuar që në përputhshmëri me ligjin tu mundësohet që të shohin argumentet në të cilin e bazon akuzën ndaj tij Prokuroria Publike.
Kjo e drejtë është pranuar nga gjykata ndërsa seanca e ardhshme është caktuar për 4 maj.
“Urdhrat i kërkojmë që nga momenti i parë i procedurës para-hetuese, dhe siç e shihni edhe sot e kësaj dite nuk mund të marrim një kopje nga urdhrat që të mund të shohim ligjshmërinë e procedurës për sigurimin e masave të posaçme dhe përgjimin e dy numrave të mi të telefonit. Në rastet tjera, shembull në rastin ‘Puç’, kjo na u mundësua. Kjo është e drejtë e mbrojtjes të ketë qasje. Në këtë rast neve nuk na kanë mundësuar, dhe ne sinqerisht dyshojmë në ligjshmërinë e procedurës së sigurimit të masave të posaçme hetuese duke e pasur parasysh se Prokuroria Themelore Publike, pikërisht këto biseda të përgjuara i shqyrton për çdo ditë, dhe hap lëndë të reja, zgjeron hetime, hap procedura të reja para-hetimore, plotësisht të ndryshme nga kjo. E gjithë kjo le hapësirë për dyshime serioze për ligjshmërinë e procedurës së masave të posaçme hetuese të cilat janë pjesë dhe bazë e aktakuzës”, ka thënë Zaev, përcjell SHENJA.