02 April
VMRO-DPMNE-ja nëpërmjet programit “Manifest për të vetmen Republikën e Maqedonisë” kërkoi bashkim kombëtar mes qytetarëve, intelektualëve, shoqatave qytetare, organizatave religjioze dhe partive politike për të siguruar stabilitet dhe të ardhme demokratike dhe evropiane për vendin. Duke filluar nga marrëdhëniet e brendshme, VMRO-DPMNE propozon që nëpërmjet dialogut, çështjet të zgjidhen në institucione, si mbrojtje më efikase nga ndikimet e jashtme.
Propozojmë të vendosim dialog kombëtar, të rregullt, ndërmjet çdo pushteti dhe opozite për çështje që ka të bëjnë me interesin kombëtar. Dialogu të zhvillohet dhe zgjidhjet të gjendet gjithmonë në korniza të institucioneve të vendit dhe nga ana e përfaqësuesve që në mënyrë demokratike janë zgjedhur nga qytetarët. Kjo është edhe mbrojtja më efikase nga ndikimet e jashtme ose realizimi i agjendave që nuk dalin nga interesi i përbashkët i qytetarëve të Maqedonisë – deklaroi Nikolla Popovski, VMRO-DPMNE.
Popovski theksoi se VMRO-DPMNE-ja synon anëtarësimin në BE dhe NATO por zgjidhja e çështjes së emrit dhe ndryshimi i mundshëm i Kushtetutës për këtë pikë, duhet të kalojë përmes referendumit.
Nuk do të pranojmë ndryshim të Kushtetutës me qëllim të ndryshim të emrit, nuk do të pranojmë ide dhe propozime që do ta rrezikonin identitetin e popullit maqedonas, individualitetin dhe gjuhën maqedonase. Nuk do të lejojmë që asnjë zgjidhje të pranohet nga ana e politikanëve ose individëve, Qeverisë ose Kuvendit, pa u shprehur paraprakisht për këtë qytetarët e Maqedonisë në referendum dhe shumica e qytetarëve që të dalin në referendum të pajtohen me zgjidhjen e mundshme – theksoi Nikolla Popovski.
Sa i takon sistemit zgjedhor, partia e Nikolla Gruevskit propozon të krijohet stabiletet politik afatgjatë me ndryshim të sistemit zgjedhor kurse për lehtësimin e dialogut ndëretnik, VMRO-DPMNE-ja propozoi regjistrim të popullsisë sipas praktikave të Eurostadit ose OKB-së.
Bonus prej 20 deputetësh për fituesin e zgjedhjeve parlamentare në kuadër të numrit aktual të deputetëve dhe në pajtim me Kushtetutën ose si alternativë e dytë, zbatimi i modelit zgjedhor të shumicës në të gjithë territorin e Maqedonisë. Regjistrimi të zbatohet pa shtyrje me qëllim të planifikimit kualitativ të politikave dhe dialogut konstruktiv për tema ndëretnike – deklaroi Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
Në Manifestin e VMRO-DPMNE-së thuhet se gjuha maqedonase mundëson integrim të të gjithë qytetarëve në një shoqëri pa dallim nga prejardhja e tyre kurse detyrim dhe pasuri për të gjithë është promovimi i gjuhës shqipe, turke, rome, serbe, dhe të tjera. Në program theksohet edhe zhvillimi ekonomik dhe krijimi i rajonit evropian mes vendeve të Ballkanit me qëllim të shfrytëzimit më efikas të fondeve evropiane.
Fatlume Dervishi