Maqedonia së shpejti do të ketë Qeveri të re, ndërsa dyshja Gruevski- Ahmeti, do të shkoj në histori. Ky është parashikimi i analistit politik Sasho Ordanovski në intervistën për Revistën SHENJA. Sipas tij, kjo është agjenda që po mbështetet nga ndërkombëtarët dhe paraqet opsion të vetëm për Maqedoninë.
“Do të ketë qeveri të re, të udhëhequr nga LSDM-ja, e cila do ta stabilizojë dhe reformojë shtetin sipas rekomandimeve të Pribesë, me një rol të rëndësishëm të organeve speciale dhe organeve të rregullta për ndjekjen e krimit. Kjo nuk është as agjenda e vetme, e as agjendë e shpejtë dhe parashikoj se do të ketë shumë situata ‘të rënies dhe të ngritjes’ në zhvillimin e tillë. Mirëpo, kjo është agjenda që do të mbështetet ndërkombëtarisht edhe me ndihmë politike edhe me ndihmë financiare”, ka thënë Ordanovski për Revistën SHENJA.
Ordanovski vlerëson se vendi nuk është në një qorrsokak por në një udhëkryq, në të cilin një shumicë e madhe qytetarësh, të të gjitha kombeve, kulturave dhe feve, në zgjedhjet e fundit qartë treguan se ku duan të lëvizin. Maqedonia sipas tij, në mënyrë të pandalshme është nisur në drejtim tjetër prej atij në të cilin “e vozitën” Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti.
I pyetur në lidhje me humbjen eventual të interesit të SHBA-së për Maqedoninë, pas ardhjes së Donald Trampit në krye të SHBA-ve, Ordanovski, ka thënë se përkundrazi SHBA-të, jo që nuk e kanë humbur interesin por pret që ky interesim të rritet edhe më shumë.
“Në të vërtetë, atë që para ndonjë viti vetëm e fliste sekretari i atëhershëm amerikan i Shtetit, Xhon Keri, tani administrata e Trampit pa dyshim do ta zbatojë me buxhet të rritur në mënyrë të konsiderueshëm për Pentagonin, i ka pëlqyer kjo dikujt këtu apo jo. Andaj edhe habitem me Gruevskin, që e shpenzon këtë kohë të shkurtër që i ka mbetur, me përpjekje për komprometimin e vazhduar të ambasadorit të këtushëm amerikan, Xhes Bejli, në vend që t’u lutet miqve të tij në Moskë që më tepër të mos lëshojnë kurrfarë njoftimesh me të cilat e mbështesin vizionin e tij për Maqedoninë”, ka thënë Ordanovski.
Ordanovski vlerëson se Ali Ahmeti së shpejti politikisht do të pensionohet, ndërsa BDI, thotë ai, e pret një introspeksion brendapartiak personal, nëse duan politikisht të mbijetojnë në plan afat mesëm.
Ai shton se “nëse nuk e bëjnë këtë, duhet ta konsultojnë Menduh Thaçin për këshilla për mbijetesë politike”.
Sa i përket Platformës Shqiptare, Ordanovski thotë se në këtë situatë politike në të cilën gjendet Maqedonia, nuk habitet që edhe te shumë maqedonas “normalë” përjetohet si provokim politik që Ali Ahmeti tani, pas një dekade të sundimit miqësisht me Gruevskin, iu kujtua se nevojitet të dërgojë ndonjë etno-platformë të hollësishme për formimin e qeverisë së re, kur 95 për qind të shqiptarëve, por edhe pjesa më e madhe e maqedonasve, kanë prioritete politike krejtësisht të tjera, për të cilat votuan në zgjedhjet e kaluara.
Ordanovski: Dyshja Gruevski-Ahmeti do të… by tvshenjaofficial